Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 10 personave, pasi të njëjtit përmes telefonit kanë mashtruar disa të moshuar në Gjermani duke iu marr para.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se të pandehurit me iniciale A.K, F.G, K.B, H.K, E.Z, A.S, Q.K, H.B, L.B dhe L.B. kanë mashtruar shtetas të Gjermanisë, duke i nxitur që të iu dërgojnë të holla në shuma të ndryshme apo kuponë të Amazon.com, Inc.
“Të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për persona të tjerë, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, duke shfrytëzuar njohjen e shkëlqyeshme të gjuhës gjermane të disa anëtarëve të grupit, në vazhdimësi, duke vepruar nga Kosova, por edhe me ndihmën e bashkëkryerësve të tjerë në Gjermani, kanë mashtruar shtetas të Republikës së Gjermanisë, duke i nxitur që të iu dërgojnë të holla në shuma të ndryshme apo kuponë të Amazon.com, Inc”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë jepen detaje edhe për mënyrën sesi personat në fjalë mashtruan shtetasit gjermanë.
“I kanë thirr të dëmtuarit, shumica të moshës së shtyrë, nga regjione të ndryshme të Gjermanisë, e pastaj duke u prezantuar rrejshëm i kanë vënë në lajthim duke iu treguar që kinse e kanë fituar lotarinë në vlerë të madhe, mirëpo, paraprakisht janë të obliguar që t’i paguajnë shpenzimet, ashtu që i kanë nxitur që të dërgojnë të holla përmes bashkëpunëtorëve të tyre në Gjermani apo përmes unioneve financiare si: Moneygram, Ëestern Union, Capital-Ria, Vllesa-Ria, në emra të ndryshëm në Kosovë, apo të blejnë kuponët e Amazon-it dhe të iu tregojnë kodet e tyre të cilët pastaj të pandehurit i kanë shfrytëzuar për blerje personale online, kështu që të pandehurit A.K, K.B, E.Z, A.S, F.G, H.K, Q.K dhe H.B, në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në vazhdim’ nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK”.