UBT News

​Nga sekuestrimi i pajisjeve të kriptovalutave në veri u kursyen mbi 1 milion euro energji elektrike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi sot se pas sekuestrimit të pajisjeve që prodhojnë kriptovaluta në veri të vendit, kanë kursyer mbi një milion euro energji elektrike në baza mujore. Ajo këtë e bëri të ditur në seancën e sotme të Kuvendit, ku u mor vendimi për vazhdimin e masave emergjente në furnizim me energji elektrike.

“Masat janë marrë sipas nevojës dhe masës që ka konsideruar komiteti teknik. Ndër masat e rëndësishme ka qenë baza ligjore për ndalimin e aktivitetit të mihjes së kriptovalutave, e cila ka mundësuar sekuestrimin e pajisjeve në rastet kur ato kanë qenë të paligjshme. Kjo na ka mundësuar të kursejmë mjaft energji, vetëm prej një aksioni në veri të vendit llogaritet se kemi arritur të kursejmë mbi një milion euro në baza mujore nga sekuestrimi i pajisjeve të cilat nuk kanë qenë të importuar në mënyrë të ligjshme”, tha ajo.

Në seancën e sotme, Kuvendi formoi edhe komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave dhe komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komunitetet joshqiptare.

Pas këtyre pikave, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e seancës së sotme plenare.

Exit mobile version