UBT News

​Nga nesër fillon zbatimi i projektit të menaxhimit të parkingjeve publike

Komuna e Prishtinës sot ka bërë prezantimin e projektit të menaxhimit të parkingjeve publike, i cili do të ofrojë zgjidhje për problemin e parkingut në kryeqytet, duke njoftuar edhe për mënyrat e pagesave.

Kryetari Shpend Ahmeti tha se janë gati për fillimin e zbatimit të Prishtina Parking qysh nga nesër, ku të hyrat nga ky projekt pritet të jenë deri në pesë milionë euro, me çka do të zvogëlohet edhe numri i veturave që qarkullojnë në qendër.

Ai ka bërë të ditur se për zonën 1, rruga Agim Ramadani deri te Pallati i Rinisë, parkingu për banorët rezidentë në muaj kushton 10 euro ose 100 euro për vit. Në zonën dy, Dardania, Bregu i Diellit, do të kushtojë 7 euro në muaj ose 70 euro në vit, ndërsa në zonën 3 do të jetë 5 euro në muaj ose 50 euro në vit.

“Nuk mund të vish edhe ta zësh një parking në qendër për 8-9 orë. 30 për qind e trafikut bëhet prej njerëzve që kërkojnë parking. Shumica e këtyre parkingjeve i kemi marrë për menaxhim. Sot kemi kënaqësinë t’ju lajmërojmë që duke filluar nga nesër në disa vende më të frekuentuara do të fillojmë zbatimin e parkingjeve rezidente. Mundësia e parë është përmes aplikacionit “Prishtina Parking”. Paguhet për minutë, për ata që nuk janë rezidentë mundësia e parkingut është dy orë”, tha Ahmeti.

Ahmeti theksoi se do të ketë kontrollorë të parkingut, dhe në rast se shihet që regjistrimi nuk është bërë me pagesë do të thirret policia për gjobitje prej 25 eurove. Mundësia tjetër është përmes operatorëve telefonik, me parking metër, po ashtu edhe blerja e biletave në pika të caktuara.

Ndryshe, sipas kryetarit Ahmeti, banorët e kryeqytetit do të kenë mundësinë të aplikojnë deri më 28 shkurt.

Exit mobile version