UBT News

​Nga e shtuna mbi 25 mijë qytetarë hynë në Kosovë përmes Aeroportit të Prishtinës

Përkundër masave dhe situatës me pandeminë COVID-19, numri i bashkatdhetarëve që ia kanë mësyrë Kosovës është mjaft i madh. Vetëm sot në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” pritet të realizohen 57 fluturime vajte-ardhje. E nga vikendi i kaluar e deri dje në Kosovë kanë arritur mbi 25 mijë udhëtarë.

Zyrtari për informim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bujar Gashi për KosovaPress ka thënë se deri më 27 dhjetor pritet të realizohen 280 fluturime që kryesisht janë bashkatdhetarë që vijnë për pushime nga Zvicra e Gjermania.

“Që nga vikendi që lamë pas, vërehet një rritje e numrit të udhëtarëve dhe po ashtu edhe i fluturimeve. Nga e shtuna deri ditën e mërkurë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur mbi 25 mijë udhëtarë, ndërsa pritet që nga data 19 deri më datën 27 të këtij muaji të realizohen 280 fluturime. Numri më i madh i fluturimeve të udhëtarëve është nga Zvicra, kryesisht nga Bazel, Cyrih dhe Gjeneva dhe më pas vijon Gjermania. Fundjavën që lamë pas i kishim mbi 150 fluturime, numri më i madh i tyre është nga shteti i Zvicrës. Sot gjatë ditës pritet të realizohen rreth 57 fluturime vajtje-ardhje, ku prapë Zvicra mbetet një nga vendet me numrin më të madh të qytetarëve dhe fluturimeve”, tha ai.

Gashi ka theksuar se të gjitha masat antiCOVID-19, të vendosura nga institucionet përgjegjëse në Kosovë, po respektohen me përpikëri.

“Secili qytetar që arrin në Kosovë duhet ta paraqesë testin PCR negativ, përndryshe i kërkohet që udhëtari në fjalë të vetizolohet për shtatë ditë”, tha ai.

Pushimet verore nuk i kaloi në Kosovë, por Burim Hasani nuk e humbi mundësinë që disa ditë për fundvit t’i kalojë në vendlindje.

“Dashuria e madhe për vendin kemi nënën vëllezërit të gjithë…Nuk kemi mundur të vijmë (gjatë verës) do të qëndrojmë vetëm katër ditë”, tha ai.

E rrugën për vendlindje e kishte marrë edhe Fadil Zhitia, i cili tha se përkundër rrezikut nga pandemia, ai vendosi të vijë për festat e fundvitit në Kosovë.

“Mirë kaluam e kemi bërë një gabim verës që nuk kemi ardhur. Përkundër pandemisë kemi ardhur, fluturimi ka qenë i qetë, na kanë pritur mirë dhe na kanë informuar se duhet bërë testin pasi të shkojmë në komunat nga vijmë”, deklaroi ky bashkatdhetar./KP

Exit mobile version