UBT News

​Nesër vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë, synohet që çështja e ZPS-së të mbyllet më 4 shkurt

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka nxjerrë një vendim sipas së cilit bëhet e ditur që po synon 4 shkurtin 2022 datë kur Zyra e Prokurorit të Specializuar të mbyll çështjen e saj. Sipas një njoftimi të Dhomave të Specializuara në Hagë, mbrojtja është urdhëruar të dorëzojë listën e provave dhe të dëshmitarëve deri më 11 shkurt, nëse e njëjta dëshiron të paraqes prova.

Gjykata ka njoftuar gjithashtu se konferenca përgatitore për mbrojtjen dhe ajo mbi pjesëmarrjen e viktimave do të mbahen më 17 shkurt, por duke e lënë si mundësi për vazhdim edhe 18 shkurtin.

“Trupi gjykues nxori vendimin e tij të dytë lidhur me kryerjen e procedurave në gjykimin e Mustafës, sipas të cilit 4 shkurti është data e synuar për mbylljen e çështjes së ZPS-së, pas dëshmisë së dëshmitarit të fundit të ZSP-së W04849. Mbrojtja është urdhëruar që (nëse dëshiron të paraqesë prova) të dorëzojë listën e dëshmitarëve dhe të provave materiale të propozuara deri më 11 shkurt 2022. Brenda të njëjtit afat përfaqësuesi i viktimave do të dorëzojë listën e dëshmitarëve (ekspertë) të propozuar që do të thirren nga trupi gjykues, në bazë të Rregullës 114(5). Më tej në vendim thuhet se konferenca përgatitore për Mbrojtjen dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave do të mbahen më 17 shkurt dhe potencialisht edhe më 18 shkurt (ditë rezervë)”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë nesër në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.

Në këtë gjykim deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të ZSP-së, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Ndërsa në seancën e kaluar, pa masa mbrojtëse ka dëshmuar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, Fatmir Sopi.

Ndër të tjera, Sopi ka thënë se në këtë proces gjyqësor nuk po merr pjesë me vullnetin e tij të lirë si dëshmitar por që është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tij, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Exit mobile version