Nesër fillon procesi edukativo-arsimor në 15 shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafi me këtë rast ka uruar fillim-vitin shkollor për 1385 punëtorët e arsimit dhe rreth 6.000 nxënës që do të ndjekin mësimet për vitin 2022/2023.
Ai ka thënë se nesër do t’i shpërndahen falas librat shkollorë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.
Gjithsej 4010 nxënës filloristë me rreth 4000 prindër të liruar nga barra financiare për herë të dytë në Luginën e Preshevës.
Mustafi ka falënderuar zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci për ndarjen e fondit prej 255 mijë eurosh për financimin e 31.839 librave në Luginën e Preshevës.
“Ky është viti i tretë shkollor që po fillojmë me librat shkollorë në Luginën e Preshevës, edhe pse procesi i sigurimit të teksteve shkollore nuk ka përfunduar për të gjitha lëndët. Megjithatë, përveç tekstit të gjuhës shqipe për shkollat e mesme, mbetet një punë e angazhim i madh për të siguruar të gjitha tekstet shkollore. Nuk kemi kërkuar e nuk kërkojmë më shumë se barazi. Që nxënësit shqiptarë të jenë të barabartë me të tjerët sipas standardeve evropiane. Barazia në arsim është barazi në shoqëri pa diskriminim. Arsimi në Luginën e Preshevës është një çështje themelore e vlerave dhe cilësisë së shoqërisë”, ka shkruar Mustafi në një postim në Facebook.
Shtatori i këtij viti fillon me 58 komplete të teksteve në gjuhën shqipe sipas programeve të reformuara të mësimdhënies dhe mësim-nxënies për shkollat fillore dhe katër komplete tekstesh (Gjuha shqipe dhe letërsia) për shkollat e mesme.