UBT News

​Nënshkruhet memorandum i bashkëfinancimit për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut

Përmes një ceremonie, është nënshkruar memorandum bashkëpunimi për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku vlerësoi lokalitetin arkeologjik të Dresnikut si pasuri kombëtare e ndërkombëtare. Ai tha se ky lokalitet përmes materialit origjinal të zbuluar dëshmon mbi ekzistencën e jetës nga shekujt 2 dhe 3 për të vazhduar me periudhën e vonshme romake.

Çeku u shpreh i lumtur që Dresniku është përzgjedhur një nga gjashtë projektet që do të financohen nga fondi i ambasadorit të SHBA-së.

“Duke u bazuar në rëndësinë universale ky lokalitet renditet ndër prioritetet programore të ministrisë tonë, Ministrisë së Kulturës. Nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të ngushtë në mes të institucioneve profesionale me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Projekti i titulluar “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut” është përzgjedhur një nga gjashtë projektet nga rajoni i Evropës dhe Euro Azisë për t’u financuar nga Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Jam i lumtur që sot bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Jeffrey Hovenier do të nënshkruajmë memorandumin e bashkëfinancimit i cili paraqet hapin e parë drejt ruajtjes dhe promovimit të lokalitetit të Dresnikut si një lokalitet me potencial zhvillimor dhe të turizmit kulturor”, tha Çeku.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jefrey Hovenier u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandum bashkëpunimi, derisa potencoi se ky investim do të tërheq vizitorë të shumtë dhe do të forcojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Jam entuziast të ndaj me ju se Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e Byrosë së Departamentit të Shtetit për çështje arsimore, dhe kulturore është i përkushtuar ta mbështes këtë lokacion si një prej vetëm gjashtë projekteve të zgjedhura nga i gjithë rajoni Evropës dhe Euro Azisë dhe vetëm një prej 28 projekteve të zgjedhura në mbarë botën…Unë kam qenë në lokacioni arkeologjik të Dresnikut dhe personalisht mund të dëshmoj se jo vetëm bukurinë, por edhe rëndësinë e tij historike. Është një lokacion që tregon edhe historinë e larmishme të Kosovës si dhe të trashëgimisë kulturore të saj. Është një pjesë fascionuse e botës që është e pranishme në Ballkanin Perendimor dhe qeveria ka përgjegjësia ta ruajë dhe ta mbrojë atë”, tha Hovenier.

Ministri Çeku njoftoi se shumë shpejt do të mundësohet qasja e publikut në lokalitet dhe prezantimi i dëshmive materiale, përfshirë edhe mozaikun e jashtëzakonshëm.

Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut gjendet në fshatin Dresnik i Poshtëm, rreth 1.5 km në lindje të qytetit të Klinës dhe shtrihet në mes të fshatit dhe lumit Drini i Bardhë. Gjate gërmimeve të viteve 2012-2015, janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha. Kjo lloj Aule mund ti përket vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom.

Exit mobile version