Mimoza Gjurkaj e cila deri në vitin e kaluar kishte një fëmijë në kopshtin publik në Fushë Kosovë, aty edhe ku po dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj një 3-vjeçari, ka pohuar se edhe fëmija i saj ka përjetuar pothuajse rastin e njëjtë në këtë kopsht.
Gjurkaj e cila sot ka ardhur vetëm për të dëshmuar se rastet e tilla janë të shpeshta në këtë çerdhe, tha se fëmija i saj gjatë kohës sa ka qenë në atë çerdhe, ka pasur vazhdimisht telashe. Madje, shton se të njëjtin edhe kanë dashur të përjashtojnë, pasi ka qenë fëmijë me hiperaktivitet, porse e njëjta është ankuar në Ministrinë e Arsimit.
“Nuk e di për dhunim, mirëpo çdoherë është lëndu ndonjë fëmijë ose diçka, fajin ja kanë lënë djalit tim. Kam pas telashe tri vjet këtu në këtë kopsht. Nuk kam qenë brenda, por djalin kanë dashur të përjashtojnë, derisa jam detyruar të intervenojë në Ministri të Arsimit, duke u shtyrë me një fëmijë pesëvjeçar që është me hiperaktivitet. E ka kry tash djali. Por, kam ardhë sot të tregoj se edhe djali im ka pas këso telashe. Nuk e kam raportuar rastin veç kam intervenuar në Ministri Arsimit, kjo ka ndodhë para se të përfundojë kopshtin”, tha Gjurkaj.
Gjurkaj po ashtu tha se me këso raste është ballafaquar edhe një shoqe e saj, e cila është detyruar të heq fëmijën nga kopshti.
“Shoqja e ka heq vajzën prej kopshti për këto qëllime, ne po i sjellim t’i edukojmë e jo t’i rrahin. Ne i kemi lind, bëjmë çfarë të duam me dashtë. Dhuna nuk është zgjidhje”, tha ai.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me rastin dhe ende është faza fillestare e hetimit. Ndërkohë, edukatorët janë shoqëruar në Polici, ku po vazhdojnë të japin dëshminë e tyre lidhur me rasti.