Në vitin 2020 në Kosovë janë ricikluar 3.882 ton mbeturina, ndërsa sasia e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara 450.229 ton, rritje kjo 0.03 për qind krahasuar me 2019, ka bërë të ditur sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Anketa e Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për 2020 e ASK-së tregon se sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 968 ton. Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje për 2020 ishte: metalet (27%), mbeturinat nga plastika (47%), mbeturinat spitalore (20%), mbeturinat e letrës dhe kartonit (6%).
Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare regjionale në vitin 2020 ishte 445 449 ton/vit. Krahasuar me të dhënat e vitit 2019, ka një rënie të lehtë prej 0.02 për qind.
Ndryshe, Anketa e Mbeturinave të Trajtuara ka për qëllim grumbullimin e të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave, sigurimin e të dhënave të qëndrueshme statistikore dhe krijimin e serisë kohore për mbeturinat e trajtuara.