UBT News

​Në Prizren përurohet shtëpia për personat me nevoja të veçanta

Në komunën e Prizrenit është përuruar shtëpia për personat me nevoja të veçanta, ku do të strehohen personat me ngecje në zhvillimin mendor e që janë të moshës së rritur dhe nuk kanë përkujdesje nga të afërmit apo familjet e tyre.

Në përurimin e kësaj shtëpie që është e para në Prizren, mori pjesë kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Islam Thaqi, së bashku me përfaqësuesin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mentor Morina.

Me këtë rast, kryetari Haskuka theksoi se kjo shtëpi rezidenciale është ndërtuar në cilësinë e standardeve të larta dhe tani e tutje do të ofrojë 24 orë shërbime të ndryshme të pandërprera, si: strehimi, higjiena, ushqimi, shërbime mjekësore nga stafi profesional, tanimë i rekrutuar, aktivitete të ndryshme sociale si dhe të gjitha shërbimet tjera të nevojshme, në bazë të standardeve për shërbime profesionale sociale dhe familjare.

Nëpërmjet një komunikate për media nga komuna e Prizrenit thuhet edhe se drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Islam Thaqi deklaroi se kapaciteti i kësaj shtëpie është deri në 14 persona dhe se ekipet e DPMS dhe MPMS-së kanë kryer një punë të jashtëzakonshme deri në përfundim të projektit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mentor Morina theksoi se MPMS, do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me drejtoritë e Komunës së Prizrenit edhe në projektet tjera.

Në fund, kryetari Haskuka falënderoi MPMS-në për këtë bashkinvestim, si dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe Qendrën për Shëndetin Mendor, për bashkëpunimin me drejtoritë e komunës së Prizrenit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për personat e strehuar në këtë shtëpi./UBTNews

Exit mobile version