UBT News

​Në ditën e zgjedhjeve do të jenë të hapura 888 qendra të votimit

Në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit do të jenë të hapura 888 qendra ku qytetarët do të votojnë në mbarë Kosovën. Kjo u vendos unanimisht në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Krahas kësaj, nga ky institucion zgjedhor u bë e ditur se pas fillimit të aplikimit për regjistrim të votuesve nga jashtë Kosovës, rreth 1 mijë e 500 aplikime kanë ardhur deri me tani për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit nga diaspora.

Kryeshef i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se afati i aplikimit do të përfundojë më 21 janar.

“Sot ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës. Periudhë e cila do të përfundojë me 21 janar deri më orën 18:00 sipas kohës lokale të Kosovës. Sekretariati i KQZ-së i ka publikuar të gjitha informatat e nevojshme dhe detajet duke përfshirë formuluarat për aplikim, regjistrim, tekstet shpjeguese dhe pyetet të cilat më së shpeshti i bëjnë qytetarët. Deri në këto momente kemi diku rreth 1 mijë e 500 aplikime që kanë ardhur përmes e-mailave”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga LVV-së, Alim Rama duke i paraqitur qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve, tha se disa prej qendrave që janë afër njëra-tjetrës duhet të bashkohen në një vend.

Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në kuadër të kësaj tha se në ditën e zgjedhjeve do të jetë të hapura 888 qendra të votimit.

“Si përfundim i bie që ne do t’i kemi 888 qendra të votimit në mbarë Kosovën”, tha ajo.

Gjithashtu në këtë mbledhje të KQZ-së u tha se partitë politike kanë dorëzuar gjitha raportet financiare. Derisa janë në përgatitje për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve.

Exit mobile version