UBT News

​Në Ditën e Tokës kërkohet më shumë kujdes për mjedisin

Me rastin e shënimit të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së bashku me ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë organizuar një varg aktivitetesh.

Njëra nga ta ishte mbjellja e fidanëve në oborrin e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, ku edhe u ekspozuan disa vizatime të nxënësve të kësaj shkolle që synim kishin rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kërkoi që sa më shumë të organizohen aktivitete për ruajtjen e mjedisit që ndikon pastaj edhe në ruajtje të shëndetit. Sipas saj, pandemia ka treguar se sa është e rëndësishme të kujdesemi për higjienën dhe mjedisin.

“Jam shumë e vetëdijshme për rolin dhe rëndësinë e mësimdhënësve andaj iu inkurajoj të gjithëve që të vazhdoni me aktivitetet që po i bëni. Në përvojën time kam pasur rast që shoh në shkolla të ndryshme komuna të ndryshme punën e mësimdhënësve dhe fëmijëve përmes aktivitete me klube të gjelbra e ekspozitave dhe vizatimeve si këto ku arrihet edhe vetëdijësimi për rëndësinë e ruajtjes së planit. Ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin në këtë drejtim duke shfrytëzuar sa më shumë mundësinë që e kemi të punoni në vetëdijesim dhe qëndrueshmëri të aktiviteteve për ruajtjen e tokës dhe mjedisit dhe në fund të kësaj për shëndetin e secilit prej nesh. Viti që shkoi situata me pandeminë na ktheu edhe njëherë në vëmendje se sa shumë është e rëndësishme që të kujdesemi për higjienën për shëndetin dhe mjedisin dhe njëri tjetrin”, theksoi ajo.

Ndërsa, shefja e kabinetit të ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Rineta Jashari u shpreh se për tokën duhet të jemi të kujdesshëm çdo ditë e jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të saj.

“Unë kam vetëm një mesazh sot për këtë ditë, që Dita e Tokës është çdo ditë, ne duhet të kujdesemi për tokën çdo ditë jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, andaj duhet të veprojmë tani ta ripërtërijmë tokën tonë”, tha ajo.

E drejtoresha e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, Sofie Bunjaku tha se shënimi i kësaj dite simbolizon ngritjen e vetëdijes për mosshkatërrim të tokës.

“Shënimi i kësaj ngjarje është një mundësi që njerëzit anekënd botës të mendojnë rreth efekteve negative dhe shkatërrimit të mjedisit si në nivel lokal ashtu edhe global. Ekzistojnë shumë çështje që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, shfrytëzimi racional i resurseve natyrore, ndotja e mjedisit, ndryshimet, menaxhimi i tokës, faktorët që po ndikojnë në kërcënimin e planetit tokë, humbjen e biodiversitetit dhe vetë ekzistencën e njerëzimit. Ndërkaq, në nivelin lokal problemet mjedisore janë më të shumta dhe drejtpërdrejt prekin kualitetin e jetesës së njeriut”, u shpreh ajo.

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës sot me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mbrojtje të mjedisit nëpër komunat e Kosovës janë organizuar aktivitete të shumta.

Exit mobile version