Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar sot se edhe këtë vit, Qeveria e Kosovës do të mbulojë koston financiare të policës kufitare për bashkatdhetarët.
Ndonëse ministri Murati në postimin e tij, ka shkruar se për dallim nga dy vitet paraprake, kur polica kufitare e subvencionuar merrej në pikën kufitare, këtë vit ka ndryshuar procedura.
“Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk ju merr kohë, e madje mund të evitoni edhe pritjet në kufi kur e bleni online para se të niseni. Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të pagesës në formularin online të Ministrisë së Financave”, ka shkruar ministri Murati në rrjete sociale.
Ministri Murati ka bërë të ditur se polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, mirëpo, që të mos ketë pritje në kufi, e të mos shkaktohen kolona, rekomandohet që polica të blihet online para se të nisen për Kosovë.
“Mbështetja vlen për autoveturat për pasagjerë dhe motoçikletat, dhe rimbursimi bëhet për qëndrime deri në 3 muaj brenda vitit kalendarik. Rimbursimi mund të kërkohet për të gjitha policat që keni blerë nga data 1 janar 2022 e këtej, me kusht që periudha e tërësishme e mbulueshmërisë për një automjet të mos kalojë 3 muaj brenda vitit”, shtoi Murati.
Në fund, Murati ka sqaruar se rimbursimi mund të kërkohet për të gjitha policat që keni blerë nga data 1 janar 2022 e këtej, me kusht që periudha e tërësishme e mbulueshmërisë për një automjet të mos kalojë 3 muaj brenda vitit.