UBT News

​Ndeshja me Kosovën, Ministrja e Jashtme e Spanjes: Të mos përzihet sporti me politikën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Spanjës Arancha González Laya, ka kërkuar sot që të mos ngatërrohen “rregullat e futbollit” të vendosura nga FIFA me ligjin ndërkombëtar për shkak të ndeshjes midis ekipit të Kosovës dhe spanjollëve këtë të mërkurë në Sevilla.

Në një konferencë për shtyp me homologun e saj algjerian Sabri Boukadoum, González Laya është përgjigjur kështu kur u pyet nëse ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e Spanjës në lidhje me njohjen e Kosovës pasi nuk ka pasur asnjë pengesë për të kontestuar ndeshjen kundër ekipit kosovar.

“Futbolli është futboll dhe rregullat e futbollit përcaktohen nga FIFA, dhe për këtë arsye për Spanjën, një vend që e do futbollin dhe e adhuron futbollin e mirë,” tha ajo.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh Kosovën. Federata Kosovare e Futbollit u pranua në vitin 2016 si anëtare e FIFA dhe UEFA, e cila miratoi një politikë ndeshjesh në lidhje me vendet që nuk e njohin Kosovën.

Në maj 2019, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në takimin në Baku, vendosi që ekipet që nuk dëshirojnë të luajnë kundër klubeve të Kosovës ose kombëtares së Kosovës në territorin e tyre, duhet të organizojnë ndeshjet e tyre si vendës në terren neutral, por edhe të bien dakord që ndeshjet si mysafir t’i luajnë në Kosovë.

Sidoqoftë, ministrja spanjolle ka kërkuar që të mos ngatërrohen rregullat e vendosura nga UEFA me ato të së drejtës ndërkombëtare. “I uroj Kosovës më të mirën, megjithëse do të vë bast për Spanjën,” tha ajo.

Ndryshe, Kosova ka nisur me humbje kualifikimet për botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë si vendës, ndërsa ndeshjen e radhës e ka si mysafir i Spanjës.

Exit mobile version