UBT News

​Nderohen 21 policët e rënë në krye të detyrës

Policia e Kosovës ka mbajtur një sërë aktivitetesh të martën për të shënuar ditën memoriale për zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës. Për të nderuar 21 policët që ndër vite humbën jetën në detyrë zyrtare, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, vendosën kurora lule tek lapidarët e heronjve në kryeqytet, derisa u bë edhe parakalimi i gardës dhe njësiteve policore.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se Policia e Kosovës është shndërruar në institucionin më të besueshëm të popullit tonë.

Ai tha se 21 policët e rënë në krye të detyrës janë heronjtë e shtet-ndërtimit, sundimit të ligjit dhe demokracisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës me punë dhe organizimin e saj të palodhshëm ka arritur të shndërrohet në institucionin më të besueshëm të popullit tonë. Në këtë rrugëtim 21 policë ranë në krye të detyrës. Ata janë heronjtë e shtet-ndërtimit, sundimit të ligjit, demokracisë dhe paqes në vendin tonë. Sot këtu i kujtojmë 21 heronjtë tanë që ranë në detyrë dhe i pari prej tyre ishte heroi Lazim Rexhepi, vetëm 37-vjeçar dhe i fundit Sami Thaçi. Pikërisht në këtë ditë të 26 korrikut, e shënojmë po ashtu edhe rënien e heroit tonë, Enver Zymberi, i cili 11 vite më parë si 32-vjeçar, derisa ishte pjesë e operacionit të njësive operative të Policisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në vendkalimet kufitare në veri të vendit, e dha jetën në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, tha ai.

Para zyrtarëve policorë u zotua ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se nën Qeverinë Kurti, vlera dhe fuqia e policëve do të rritet para popullit, ndërsa profesionalizmi i tyre do të marrë shpërblimin e tyre.

Ai kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë shpejt për zbardhjen e vrasjes së heroit Enver Zymberi dhe të tjerëve, pasi theksoi se kriminelët duhet të sillen para drejtësisë.

“Në rolin tim si ministër i Brendshëm e shoh policinë si pjesë integrale të shoqërisë dhe jo si përfaqësuesin e dhunës shtetërore. Vetëm në këtë vizon, policia jonë do të jetë institucioni më dinjitoz i shtetit. Policia ka për qëllim të mbrojë së brendshmi shtetin, ndaj edhe drejtësia duhet të marrë seriozisht e policisë. Ndërsa nga ana e vet, shoqëria duhet të vendos tërë peshën e dinjitetit në figurën e zyrtarit të policisë. Prandaj edhe sot e kemi obligim që të bëjmë thirrje që organet e drejtësisë në bashkëveprim me ju, zyrtarët policor të veprojnë shpejtë dhe drejtë për zbardhjen e vrasjes së Enverit dhe gjithë të tjerët dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë”, theksoi ai.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kërkoi nga secili pjesëtarë i Policisë së Kosovës të punojë me profesionalizëm dhe nder në shërbim të vendit.

“Këtu, sot kërkoj nga secili pjesëtarë i Policisë së Kosovës të punojë me profesionalizëm dhe nder në shërbim të vendit. Ndërsa rruga që trasuan heronjtë tanë të jetë gjithmonë motiv për të punuar për sigurinë e vendit tonë dhe për të zhvilluar organizatën tonë policore edhe më tutje. Të nderuar kolegë të gjithë ne jemi krenarë me punën tonë dhe betohemi edhe një herë se askush nuk mund të ndal dhe pengojë Policinë e Kosovës në përmbushjen e detyrave në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që 26 korriku të shënohet si Dita e policëve të rënë në krye të detyrës, në nderim të rënies së Enver Zymberit në veri të Kosovës, më 26 korrik të vitit 2011.

Exit mobile version