UBT News

​Ndalohet edhe një person lidhur me rastin “Karaçeva”

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar të pandehurin V.B., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

V.B. dyshohet se gjatë vitit 2020, në mënyrë ilegale ka zhvilluar veprimtarinë e lojërave të fatit në kazinonë “Admiral” në Karaçevë të Kamenicës.

I njëjti me vendim të prokurores së rastit gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e sigurisë nga Gjykata kompetente në Gjilan.

Ndryshe, aksioni në Karaçevë i zhvilluar më 18 shtator të vitit të kaluar erdhi si rezultat i një hetimi më shumë se një vit. Ai u realizua në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.

Në fakt në aksionin në Karaçevë, janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët vijuese pas operacionit. Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtarë policorë.

Përveç arrestimeve në rastin e Karaçevës në dy faza janë konfiskuar 252 aparate të lojërave të fatit, 2 roletë të cilët janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, 6576 euro para të gatshme, 163.650 dinarë, dy pushkë gjuetie, tri pistoleta, 63 gjedhe, 322 matrikula, 15 shtëpiza të kompjuterëve 9 DVR me video incizime dhe prova të tjera në rastin e Karaçevës.

Të arrestuarit në dy fazat e rastit po dyshohen për veprat penale, organizim të lojërave të fatit, kontrabandë, blerje të kafshëve të kontrabanduara si dhe vënie në prodhim të mishit nga kafshët e kontrabanduara.

Në Karaçevë janë rrënuar edhe 13 objekte që kanë funksionuar për një kohë të gjatë si kazino ilegale. 

Exit mobile version