UBT News

​Ndalohen dy persona të dyshuar për mashtrim e falsifikim të dokumenteve

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës-Departamentin për Hetimin e Krimeve Ekonomike, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet I.L., dhe M.T., (avokat), për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale mashtrimi dhe falsifikimi i dokumenteve.

Personat në fjalë dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ku të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.

Ndërsa, I.L., dyshohet se në mars 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale falsifikimi i dokumenteve.

Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme ligjore.

Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale.

Exit mobile version