UBT News

​Ndalet alarmi në veri

Në këto momente është ndalur alarmi në komunën e Mitrovicës së Veriut. Ndërkohë serbët janë mbledhur tek udhëkryqi i shkollës teknike në veri.

Përndryshe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic- Llune.

Ministri Sveçla ka shkruar në Facebook se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës. Sveçla ka shkruar po ashtu se: “Republika nuk do të zmbrapset”.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë”, shkruan ai.

Ai ka shkruar po ashtu se koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar.

“Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset”, shkruan ai. 

Exit mobile version