Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se çështja e sigurisë së nxënësve në shkolla është çështja kryesore dhe me interes të veçantë në politikat arsimore, prandaj edhe nevojitet bashkëpunim i mirë ndërmjet nxënësve, mësimdhënësve, psikologut, drejtorit dhe prindërve, në mënyrë që të adresohen rastet kur dikush ndjehet që po i cënohet çfarëdo e drejte.
Nagavci ka vazhduar aktivitetet në kuadër të fushatës njëmujore sensibilizuese kundër dhunës në shkolla me moton “Të gjithë së bashku për shkollën miqësore”, në shkollën “Iliria” në Prishtinë, në të cilën ishte duke u trajtuar tema e dhunës me nxënësit e klasëve të pesta.
Ministrja Nagavci gjatë bashkëbisedimit me nxënës, mësimdhënës dhe stafin menaxherial tha se janë në një shkollë ku promovohet shëndeti, prandaj nuk ka dilemë se në këtë shkollë trajtohet po aq mirë edhe tema e dhunës.
Ministrja ndër të tjera tha se qëllimi i kësaj fushate vetëdijësuese është që nxënësit të kenë të qartë se sa e rëndësishme është që të ndajnë informatat me prindër, mësimdhënës apo njerëz të tjerë të cilëve ata ju besojnë, në rast se njohin dikë që ballafaqohet me dhunë të cilësdo formë.