Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, kanë shqyrtuar raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.
Në raport thuhet se sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk është në gjendje t’i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës. Aty theksohet se përkundër përpjekjeve për të ndërlidhur njohuritë dhe aftësitë profesionale me nevojat dhe kërkesat e vazhdueshme të tregut të punës, ky sistem është përcjellë me mangësi të shumta dhe kjo ka ndikuar që institucionet përgjegjëse të mos jenë të suksesshme bë arritjen e qëllimeve të synuara.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se kanë synim ndërlidhjen e aftësimit profesional me tregun e punës.
“Synimi jonë ndërlidhja e aftësimit profesional me tregun e punës, ndërlidhja e programit me tregun e punës janë një nga synimet e punës tonë”, tha ajo.
Kryetari i komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se duhet të ketë një destigmatizim të profileve profesionale, pasi që tha se shumica e nxënësve drejtohen drejtë gjimnazeve dhe jo shkollave profesionale.
“Të orientohemi edhe në një destigmatizim të profileve profesionale. Krejt orientimi i shkollimit ka qenë nëpër gjimnaze”, tha ai.
Kryetarja e komisionit për mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se arsimi mund të reformohet vetëm nëse është prioritet nacional dhe i kryeministrit.
“Arsimi nuk reformohet duke qenë prioritet i ministrit të arsimit, por duhet të jetë prioritet i kryeministrit duhet të jetë projekt nacional. Ne kemi me e përkrahë çdo reformë që dërgon drejte ngritjes së cilësisë”, tha ajo.