Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se, ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës janë nxënësit, fëmijët tanë.
“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo ka kujtuar po ashtu se për më shumë se një vit janë zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBAShK-ut.
“Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBAShK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim. Kemi diskutuar me Kryesinë e SBAShK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer. Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi.Dhjetëra takime me vullnet të njëanshëm, me përpjekje të njëanshme për rezultate të synuara që të jenë të përbashkëta.Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Sot publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit. Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve. Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, shkroi ajo mes tjerash.