11 minatorë të ndërmarrjes “Trepça” të enjten janë futur në grevë meqë ende nuk kanë marrë rrogën e muajit janar.
Futjen në grevë të tyre, po e sheh tendencioze ushtruesi i kryeshefit ekzekutiv të gjigandit metalurgjik “Trepça”, Enes Muzaqi.
Muzaqi për KosovaPress thotë se me marrjen e detyrës i kishte njoftuar drejtorët dhe njësitet përkatëse se deri në muajin prill do të ketë vështirësi për pagesat. Për këtë ai tha se po bëhet për të çrregulluar prodhimin dhe sistemin e punës që është krijuar.
“Aty ka qenë një grup i izoluar prej 11 minatorëve që kanë ndërpre punë përshkak mosmarrjes së pagese. Ne edhe gjatë marrjes së detyrës gjatë muajit nëntor i kemi njoftuar gjithë minatorët edhe përmes drejtorit të minierës dhe njësiteve tjera, që vështirësi në paga do të kemi deri në muajin prill përshkak vështirësive dhe gjendjen që e kemi gjetur. Por kjo më shumë po shihet të jetë tendencioze për me çrregullu një prodhim rekord që është rritë që nga paslufta dhe ka tendenca të tilla për me çrregullu një sistem dhe politikë të punës që është krijuar. Nuk kam koment tjetër”, tha Muzaqi.
Muzaqi thotë se pagat e muajit janar për minatorët do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.
“Ne kemi kontrata ndërkombëtare për shitjen e koncentrateve të cilat janë kontrata ndërkombëtare dhe ne mund t’i përshpejtojmë dërgesat e koncentrateve vetëm si janë planifikuar për shitje. Ne i kemi informuar që javën e ardhshme pagat do të ekzekutohen në llogaritë e punëtorëve”, tregoi Muzaqi.