UBT News

​Mustafi: Me presidenten Osmani diskutuam për regjistrimin e popullsisë në Luginë

Regjistrimi i popullsisë dhe përfshirja e Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, kanë qenë temat që u trajtuan në takimin mes presidentes e udhëheqësit e tri komunave.

E para e shtetit, Vjosa Osmani gjatë së hënës priti në takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi, atë të Bujanocit, Nagip Arifin, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi dhe përfaqësues tjerë të luginës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ka thënë se ky ishte takimi i parë që presidentja ka ftuar tri komunat, ku ishin prezent të gjithë udhëheqësit politikë të Luginës së Preshevës.

“Diskutuam bashkërisht për çështje aktuale në të cilën gjendet Lugina e Preshevës, me theks të veçantë sa i përket regjistrimit të popullsisë në Luginë. Ajo çfarë është e vërteta është se në Preshevë e Bujanoc, regjistrimi i popullsisë është duke shkuar sipas ritmeve dhe dinamikës së vet. Përderisa ka disa mangësi sa i përket regjistrimit të popullsisë në Medvegjë”, ka thënë Mustafi.

Ai ka përsëritur kërkesën për trajtim të barabartë të shqiptarëve të Luginës, ashtu siç ndodh me serbët e Kosovës.

“Kërkesa jonë e patjetërsueshme është që çështja e Luginës së Preshevës nuk ka asnjë arsyeje të jetë e padiskutueshme, të jetë e pazgjidhur në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sepse ajo është pjesë e kontekstit Kosovë-Serbi. Madje, nuk mund të ketë një zgjidhje që vendos paqen e qëndrueshme pa e trajtuar edhe çështjen e Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar ka ftuar të gjithë shqiptarët e tri komunave të insistojnë për regjistrim, pasi që në këtë mënyrë do të dihet edhe numri i saktë i shqiptarëve në tri komunat. Ai theksoi se deri më tani kanë evidentuar mangësi në procesin e regjistrimit në Medvegjë, ku janë vetëm tre shqiptarë.

“Problemi ishte që ata ishin vendosur në vendbanime të serbëve dhe nuk ishin vendosur në vendbanimet shqiptare. Madje, tani kemi arritur që të sigurojmë që të kenë asistentë sa i përket regjistrimit të popullsisë, në mënyrë që shqiptarët e Medvegjës të deklarohen në gjuhën shqipe ndaj regjistruesve. Mirëpo, ka edhe probleme të karakterit softuerik, sepse është një problem i kompleksuar. Ajo që na bën besim plot për të vazhduar edhe më tej sa i përket regjistrimit të popullsisë, është se ky proces monitorohet nga Eurostat-i dhe është i financuar nga BE. Ne kemi adresuar të gjitha këto çështje edhe Ambasadës të Bashkimit Evropian edhe OSBE-së”, ka thënë Mustafi.

Mustafi tregon se edhe për numrin e deritanishëm të qytetarëve të regjistruar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Në Medvegjë janë regjistruar 5 mijë e 708 qytetarë, prej tyre sa janë shqiptarë është problem të dihet për shkak se numër i konsiderueshëm i vendbanimeve është i përzier. Përderisa në Preshevë janë regjistruar mbi 50 mijë qytetarë, numri i konsiderueshëm dhe kapital është shqiptarë. Dhe diku në komunë të Bujanovcit rreth 48 mijë qytetarë”, ka përfunduar ai.

Shqiptarët po marrin pjesë në proces të regjistrimit pas një dekade. 83 regjistrues janë në Bujanoc, 73 regjistrues në Preshevë dhe 24 regjistrues në Medvegjë.

Exit mobile version