UBT News

​Mustafi: Është jetike që çështja e Luginës të jetë pjesë e marrëveshjes Kosovës-Serbi

Kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi e ka vlerësuar të jashtëzakonshme dhe historike vizitën që delegacioni shqiptar nga Lugina ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Me këtë vizitë jo vetëm se mbushemi me optimizëm, por sigurohemi se shqiptarët e Luginës kanë një mbështetje të jashtëzakonshme të Departamentit të Shtetit, Capitol Hillit, Senatit e Kongresit dhe të lobit shqiptar. Për neve është çështje jetike që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi”, ka theksuar Ragmi Mustafi në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se gjatë vizitës në Uashington përfaqësuesve shqiptarë u është bërë e qartë se ShBA-të qëndrojnë pranë tyre dhe se zotimet janë se nuk do të lihet anash trajtimi i temës së shqiptarëve të Luginës.

“Duke pasur parasysh se edhe vet Escobar e njeh mirë situatën në rajon, jemi besimplotë se ato zotime që i diskutuam në Departamentin e Shtetit do të jenë qëllimi i drejtpërdrejt i diplomacisë amerikane”, ka nënvizuar Mustafi.

Ai tutje ka thënë se nuk ka asnjë arsye që ajo që u ofrohet serbëve në Kosovë, të mos u ofrohet shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Mustafi u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që po mbahet në Serbi. Sipas tij, numri i shqiptarëve në këtë trevë do të arrijë në 100 mijë.

Exit mobile version