UBT News

​Mustafa: Të fajësohet kryetarja e KQZ-së, e padrejtë dhe e palejueshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar pas kërcënimeve në adresë të kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, për shkak të moslejimit të pjesëmarrjes në zgjedhje të kandidatëve për deputetë, të cilët kanë kryer vepra penale në tri vjetët e fundit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjigjur në kërkesën e KQZ-së, sipas së cilës 47 kandidatë nga listat e partive politike nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e garës zgjedhore të 14 shkurtit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka i ka quajtur të papranueshme kërcënimet në adresë të saj, duke thënë se nuk është ajo që merr vetë vendimet, por i zbaton ligjet dhe Kushtetuesen.

Në mbrojtje të saj ka dalë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili këto kërcënimet i ka quajtur të padrejta dhe të palejueshme, duke thënë se askush nuk ka të drejtë për një gjë të tillë.

“Të fajësohet kryetarja e KQZ-së deri në kërcënim se po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është e padrejtë dhe e palejueshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi, në esencë është i çuditshëm, sepse më shumë përngjan në shkrim të ri të normave kushtetuese, sesa në interpretim të normave ekzistuese, që do duhej të jetë fushëveprim i Gjykatës. Fundja vet aktgjykimi është derivat i lëndës së iniciuar nga LVV. As neve si LDK, s’na ka pëlqyer. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci parlamentare. Prandaj mos e atakoni zonjën Daka, sepse nuk keni të drejtë!”, shkroi ai në Facebook.

Exit mobile version