Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale, por edhe politike. Sipas Mustafës, më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve.
Mustafa ka shkruar në Facebook se çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara.
“Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim. Nuk është roli i Qeverisë tonë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin as për të bërë luftën në Ukrainë. Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë. Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të përfituar”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme.