UBT News

​Musliu: ZRRE t’i lirojë nga pagesat e rrymës kategoritë e dala nga lufta

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të nxjerrin vendim për lirimin nga pagesa e faturave të rrymës, kategoritë e dala nga lufta.

Musliu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se bordi i ZRRE-së ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15 përqind dhe kjo rritje do të jetë për të gjitha kategoritë.

“Ky shtrenjtim i rrymës në kohën kur qytetarët po ballafaqohet me luftën e tyre për ekzistencë është i papranishëm dhe i papërballueshëm për qytetarët e vendit. Ky shtrenjtim i rrymës nuk i prek qytetarët në veri të Mitrovicës, të cilët vazhdojnë çdo ditë të jenë të privilegjuar nga Qeveria e Kosovës. Me këtë vendim po thellohet pabarazia duke shkelur të drejtat e qytetarëve të pjesës jugore të Mitrovicës. Se me këtë shtrenjtim bëhet një diskriminim në baza etnike tashmë është deklaruar edhe Këshilli për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”, tha ajo, derisa pati edhe një kërkesë për kategoritë e luftës, për të cilat tha se nga institucionet e shtetit janë lënë pas dore në çdo aspekt.

“Kërkoj nga ZRRE që të nxjerr një vendim dhe t’i lirojë nga pagesat e faturave të rrymës të gjitha kategoritë e dala nga lufta, siç janë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invaliditet e UÇK-së. Është e rënd dhe tërësisht e papranueshme që kjo kategori të nëpërkëmbët e të mos trajtohet me dinjitet. Është e papranueshme dhe skajshmërish e dhimbshme që të shohësh duke u prangosur veteranë e invalid të UÇK-së në pamundësi për të paguar faturat e rrymës. Rastin më të freskët e patëm në Mitrovicë, ku në pamundësi të pagesës u arrestua dhe u prangos veterani i UÇK-së, Besim Musa”, tha ajo.

Exit mobile version