Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu thotë se partia të cilës i takon, nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike shqiptare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Deputetja Musliu, në një intervistë për KosovaPress thotë se pavarësisht kësaj në PDK deri më tani nuk është diskutuar për koalicione parazgjedhore dhe paszgjedhore.
“Partia Demokratike asnjëherë nuk ka vendosur vija të kuqe. PDK, koalicionin e përjetshëm e ka me qytetarët e Kosovës. Ne çdo herë do të jemi garanci për një shtet me integritet, një shtet me sovranitet të plotë, dhe një shtet ku secili qytetar i Republikës së Kosovës do të ndihet i dinjitetshëm. Asnjëherë nuk do të vendosim vija të kuqe për askënd, dhe nëse edhe Lëvizja Vetëvendosje është parti shqiptare e Kosovës, atëherë kjo nënkupton që edhe për Lëvizjen Vetëvendosje vlejnë rregullat e njëjta dhe nuk bëjmë përjashtim. Por deri më tani, si parti politike dhe si struktura organizative vendimmarrëse, ne nuk e kemi në tavolinë temën ose diskutimin e koalicioneve as parazgjedhore, apo edhe pas zgjedhore, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thotë Musliu.
Musliu thotë se PDK-ja është e vetmja që u ka qëndruar besnike parimeve të saja, duke pohuar se është shndërruar model për partitë tjera.
“Partia Demokratike e Kosovës tashmë vitet e fundit ka filluar të shndërrohet në një model se si duhet të funksionojnë partitë demokratike në një shtet të pavarur. E them këtë sepse para një viti kishim zgjedhje në Kosovë dhe të gjitha partitë politike vendosën vija të kuqe karshi Partisë Demokratike të Kosovës, ishte e vetmja PDK-ja ajo e cila ishte kundër vijave të kuqe për partitë politike shqiptare të Kosovës. Tani në këto zgjedhje që po ofrohen, të gjitha partitë në çdo studio televizive, në çdo paraqitje thonë se vijat e kuqe janë të padobishme dhe nuk do të jenë prioritet për asnjë parti. Kjo do të thotë se kanë marrë mësim nga e kaluara, dhe Partia Demokratike iu ka dhënë një leksion partive tjera”, thotë Musliu.
Musliu thotë se ofertat për koalicionet e mundshme, do të bazohen në ide dhe vizione, ndërsa fton elektoratin që të mos votojë me inate, por të orientohet te partitë që kanë dhënë rezultate dhe krijuar stabilitet në vend.
Teksa shton se këto zgjedhje, Kosovën e gjejnë më të destabilizuar dhe me të pasigurt se kurrë më parë.
“Bashkëpunimin tonë, pavarësisht ofertave që do t’i kemi, ose që ne do t’i japim, do t’i bazojmë në programe, në vizion dhe ide. Ne nuk do të ftojmë elektoratin që të votojë me inate dhe inercion, por elektorati jonë dhe qytetarët e Kosovës, përfundimisht duhet të koncentrohen dhe të orientohen tek ato parti të cilat kanë dhënë rezultat, tek partitë që kanë krijuar stabilitet në vend. Fatkeqësisht këto zgjedhje, Kosovën e gjejnë me të destabilizuar se kurrë, dhe më të pasigurt se kurrë”, thotë Musliu.
E për krejt rezultatet pozitive të PDK-së, Musliu ia dedikon meritat dy ish-udhëheqësve, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për të cilët thotë se kanë qenë shembull për punën ekipore, traditë të cilën kjo parti po e vazhdon edhe në këtë kohë kur liderët e saj janë në Hagë.