UBT News

​Murati: Prokuroria të merret me Abelard Tahirin, e kërcënoi zëvendëskryeministrin

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ftuar prokurorinë të merret me deputetin Abelard Tahirin pasi sipas tij ky i fundit e ka kërcënuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Murati ka thënë se opozita është ajo që është vënë në “siklet”.

“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar dhe mund ta konfirmoj atë që tha zëvendëskryeministri Bislimi se pas mbylljes së mikrofonit, duke u kthyer nga foltorja në ulësen e tij, deputeti Abelard Tahiri kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimin, dhe ftoi prokurorinë, sepse kishte edhe kërcënimin nuk ishte vetëm gjuhë jo parlamentare, kishte edhe kërcënim. Ftoj prokurorinë të marrë shumë seriozisht kërcënimin e një personi që ka mbajtur armë më shurdhuese për kaq vite. Tash kush është në këtë siklet po shihet mjaft qartë, dikush që detyrohet të ofendojë e të kërcënojë, e realisht t’i përdorë argumentet që po përdor Vuçiq kundër Republikës së Kosovës, me të vërtetë shihet që jeni në siklet të madh”, tha Murati.

Lidhur me mbajtjen e armës, deputeti Tahiri ka thënë se kohë më parë ka qenë i kërcënuar.

“Për punën e shurdhuesve nuk e kam thënë asnjëherë. Po ua them tash, duke e përmendur ju. Unë kam marrë një kërcënim të cilin e kam denoncuar në polici. Kërcënon në grua dhe fëmijë. Policia vjen me një raport.E kemi identifikuar personin ju ka kërcënuar dhe është në vuajtje të dënimit në Podgoricë për organizimin e një vrasjeje si rezultat i debatit për shurdhuesit kjo është konfirmim i policisë.Ai person është një vrasës në Podgoricë, në burg, i cili më shkruan mua nga burgu pikërisht për punën e shurdhuesve, pikërisht me debatin që bëni ju.Janë armë që janë blerë për sigurimin e kryeministrit të Kosovës në atë kohë dhe që nuk ka lidhje me mua. Me këtë retorikë që na i kërcënonin gratë dhe fëmijët në shtëpi nuk do t’i tolerojmë asnjëherë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa sipas Muratit opozita kur ishte në qeveri ka krijuar “shtëpi prej letre” që sipas tij brenda 24 orësh rrëzohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Po flet dikush si ju po thotë urdhëroni mbajeni atë që kemi krijuar kur në fakt ju keni krijuar shtëpi prej letre, e cila brenda 24 orëve rrëzohet nga Vuçiq dhe madje personat dekorohen. Ju po deklaroheni, ruajeni pjesën veriore ju që keni angazhuar ambasadorë e kompani lobuese për ta ndarë, për t’ia falë dhuratën e Rankoviqit Serbisë, ju po e thoni këtë. Qytetarët e dinë këtë, qytetarët janë dëshmitarë çka keni bërë ju e çfarë gjuhe po përdorini tani, dhe ku i keni qëndrimet e juaja”, ka thënë ai.

Pas kësaj ka reaguar përsëri deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

“Ne jemi ata që kemi vendosur pikën 1 dhe 31, ne jemi ata që ata që e kemi larguar Veselinoviqin dhe Radojiçiqin nga Kosova.Ne jemi ata që e kemi ngrehur Gjuriqin “zhag” nëpër Prishtinë, ne jemi ata të cilët kemi ofruar siguroi për qytetarët tanë që jetojnë në veri, ne jemi ata të cilët kemi ndërtuar shtëpi të qytetarëve të Republikës së Kosovës në veri të vendit, ne jemi ata që kemi shtrirë sovranitetin, andaj ju sot e kemi përgjegjësinë me mirëmbajte pikërisht këtë gjendje të cilën e kemi krijuar ne, që sot doganat tona, inspektorët tanë, mbledhin taksa edhen në pikat 1 dhe 31, andaj tërheqjen e tyre ne nuk ua tolerojmë.Tërheqjen e policëve nuk ua tolerojmë, tërheqjen e gjyqësorit, doganave, nuk ua tolerojmë, sepse i kemi vendosur dhe e përkrahim vazhdimësinë e punës së tyre. Këto nuk janë institucione të juaja, këto janë institucione të shtetit të Kosovës të cilat ju përkohësisht drejtoni, nesër do t’i drejtojmë ne”, ka thënë Tahiri.

Debati mbi situatën aktuale në veri është përcjellë me përplasje të mëdha në mes të pushtetit dhe opozitës, si dhe me gjuhë të ashpër e jo parlamentare si nga deputetët e opozitës ashtu edhe nga ministrat të cilët ishin prezentë.

Exit mobile version