UBT News

​Murati kërkon nga deputetët të mbështesin Projektligjin për punë publike

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë arsyetimit të Projektligjit për mbështetjen e punëve publike ka kërkuar nga të gjitha Grupet Parlamentare që ta mbështesin këtë projektligj, në mënyrë që siç tha ai të nisë vazhdimi i punëve publike.

Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij ligji, Murati kërkoi që të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Kosovës. Murati ka treguar se kompanitë të cilat kanë kontrata para 1 prillit të këtij viti, mund të kompensohen për shkak të rritjes së çmimeve.

“Projektligji për punë publike parasheh kompensimin për inflacion, për ato materiale ndërtimore, të cilat janë ndikuar nga inflacioni përkatësisht çimento, hekuri, plastika dhe produktet e plastikes, betoni dhe produktet e betonit si dhe zhavorri, alumini e të tjera. Bazuar në këtë projektligj, kompensimi për inflacion mund të realizohet edhe për punët përcjellëse të cilat indeksohen sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të Kosovës që publikohet nga ASK. Të drejtë për të kërkuar kompensim për inflacion parashihet që të kenë operatorët ekonomikë që dëshmojnë se materialet ndërtimore që janë pjesë e kontratës së tyre kanë pësuar rritje të çmimeve e për më tepër kriter është që të jetë kontratë aktive për punë publike të vlerës së mesme dhe të madhe dhe e nënshkruar para datës 1 prill e këtij viti. Kështu parashihet që kontratat që janë të nënshkruara para kësaj date të mund të kualifikohen për këtë kompensim shtesë, ndërkaq kontratat që janë nënshkruar pas datës 1 prill të këtij viti vlerësohet që do të duhej të ishin të përshtatura me çmimet e reja që i kemi aktualisht në treg… Ju ftoj që ta mbështesni si grupe parlamentare në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i punëve. Lutja ime do të ishte që ky projektligj të trajtohet me procedurë të përshpejtuar”, theksoi ai. 

Exit mobile version