Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se rritja e buxhetit në ministrinë e Infrastrukturës është bërë me qëllim që të larë borxhet e shpronësimeve që kanë lënë qeveritë e kaluara. Sipas tij, po tentohet të manipulohet edhe me raportin për investimet kapitale gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar.
Ministri i Financave në Kuvend po ashtu tha se nuk mund ta zëvendësojnë importin as brenda ditës as brenda gjashtë mujash por janë duke punuar në këtë drejtim.
“Rritja e buxhetit aty është pikërisht për të larë borxhet e shpronësimeve të cilat i keni lënë keni nisur projekte pa nisur shpronësimin dhe projektet kanë ngecur njësoj ka ngecur edhe projekti në Podujevë edhe projekti i rrugës për Mitrovicë dhe të gjitha projektet të tjera infrastrukturore janë peng i shpronësimeve të parregulluara dhe papaguara si duhet. Po përmendet edhe raporti nëntë mujor të zbatimit të pakos të ringjalljes ekonomike më lejoni t’iu tregoj se besoje dini se keni qenë deputet në këtë Kuvend kur është votuar rishikimi i buxheti dhe buxheti i rishikuar ka hyrë në fuqi në pjesën e parë të gushtit, dhe tek atëherë kemi mund të filloj me zbatim të pakos së ringjalljes ekonomike pra po flasim për një periudhë një mujore nëse po i referoheni asaj. Vetëm dje kemi pasur pagesën më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë prej 69 milionë eurosh për pensionistët dhe mos të flasim për shifra dhe mos të bëjmë manipulime me shifra siç bëtë herën e kaluar zonja Bajrami kur thatë që investimet kapitale në raportin e 7 mujorit për vitin 2021 janë më të ulëta sesa në vitin 2020 gjë që është e pavërtetë”, tha ai.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami i ka replikuar pasardhësin të saj në këtë ministri duke i thënë se investimet kapitale janë më të ulëta në këtë nëntë mujor marr parasysh se në vitin 2020 për tre muaj vendi ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë.
“Investimet kapitale janë më të ulëta nëse e merr parasysh se që nga 11 marsi e deri më 1 qershor e ke pasur ekonominë e mbyllur edhe me vendim të qeverisë Kurti1 e ke pasur të ndaluar me filluar secili projekt të ri. Por në nëntë mujorin e 2020 i ki 204 milionë e në nëntë mujorin e 2021 i ki 220 milionë, nëse e merr parasysh se ka pasur mbyllje më i vogël është ekzekutimi në mbyllje sesa në vitin 2020 kështu i bie sepse duhet me pas parasysh se ka pasur tre muaj ditë mbyllje”, tha ajo.