Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se nëse duhet të bëhet hetim parlamentar për çështjen e energjisë, atëherë duhet të përfshirë periudhën prej vitit 2008 e tutje.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Murati ka deklaruar se fillimisht duhet hetuar se ku kanë shkuar 210 milionë euro të ndara në vitin 2008.
“Është e rëndësishme dhe ne si qeveri e mbështesim, nëse doni hetim, lë t’i hyjmë prej fillimit, le t’i hyjmë komplet sektorit të energjetikës prej fillimit, që nga ndarja e 210 milionë eurove në vitin 2008. Ku kanë shkuar 210 milionë euro. 210 milionë euro janë shpenzuar. Mund t’i hetojmë se ku kanë shkuar ato mjete deri në ditën e fundit, por ta marrim komplet filmin siç u tha këtu më parë”, ka thënë Murati.
Ai ka lavdëruar punën e qeverisë sa i përket menaxhimit të krizës energjetike.
“Sa i përket energjisë dhe krizës energjetike, prapë po them, që e ka kapluar gjithë botën, e sidomos edhe rajonin tonë, javën e kaluar isha edhe në Uashington gjatë takimeve pranverore me Bankën Botërore dhe FMN-në. Në takimin që kisha me përfaqësuesit e Bankës Botërore u dhanë lëvdata për mënyrën si është menaxhuar kriza energjetike dhe na thanë se kur po na pyesin shtetet e tjera, po u japin Kosovën si shembull për menaxhimin e krizës energjetike. Pse? Këtu ka pasur përfaqësues edhe të institucioneve të tjera dhe mund t’i pyesni”, ka thënë Murati.
Sipas tij kjo është bërë duke siguruar furnizim të rregullt të energjisë dhe duke siguruar mbrojtje për familjet në nevojë duke mos e rritur çmimin e energjisë për ato familje.
Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë punimet nga ora 15:00.