Ndonëse ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ishte prezent për raportim në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, ishte mungesa kryetarit të komunës së Ferizajt, Agim Aliu që bëri të shtyhet për një datë tjetër shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës “Menaxhimi i projektit Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Deputetët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga mazhoranca e kundërshtuan vazhdimin e kësaj mbledhje pa praninë e kryetarit Aliu, derisa deputetë e PDK-së u shprehen se kjo mbledhje mund të vazhdoj meqenëse në mbledhje po merrte pjesë edhe nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami tha se dje është njoftuar se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu nuk do të jetë prezent sot në Komision.
“Dje jam kontaktuar nga stafi i Komisionit edhe më është kërkuar të jap përgjigje se kryetari nuk po mund të vijë dhe çka të bëjmë me agjendën dhe duke e ditur pak e shumë qëndrimin e shumicës në Komision”, tha ajo.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti kërkoi që kjo mbledhje të mos mbahet pa prezencën e kryetarit Aliu, Hoti tha se fakti që kryetari i Ferizajt nuk është prezent sot mund të duket si ikje nga përgjegjësia pasi raporti i auditimit për projektin në fjalë ka gjetur shumë parregullsi.
“Kryetarit të komunës nuk i ka konvenuar një datë që e kemi propozuar, pastaj i kemi dhënë kohë dy javë dhe e kemi caktuar për sot. Më pas dje jemi informuar se nuk mund të vijë dhe ka ardhur nënkryetari në vend të tij. Dhe nuk mendoj se duke e ditur rëndësinë për gjetjet e shumta të Auditorit në këtë raport nuk mendoj se që është e duhur ta shqyrtojmë vetëm me prezencën e nënkryetarit dhe ministrit dhe në fakt që të dy nuk keni qenë përgjegjës në kohën kur ka filluar dhe implementuar ky projekt…04’10 Mendoj se personi më përgjegjës është kryetari dhe fakti që nuk është sot këtu mund të duket si ikje nga përgjegjësia duke e ditur se ka shumë parregullsi në këtë raport”, tha ajo.
Nënkryetari i komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu u shpreh se për shkak të një udhëtimi zyrtar kryetari Aliu nuk ka mundur të jetë prezent në këtë mbledhje.
“Mund t’u duket e paarsyeshme, por ai ka pasur një udhëtim zyrtar në kuadër të Asociacionit të Komunave dhe kërkon falje në këtë drejtim. Mund të duket jo korrekte që kam ardhur dhe nuk kam ardhur me dëshirë, por edhe ligji ma mundëson”, tha Aliu.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa propozoi që diskutimi të vazhdojë edhe pa prezencën e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu.
“Duke pasur parasysh kompetencat që keni pasur edhe mandatin e kaluar si drejtor i Urbanizmit mendoj se njerëzit më adekuat që edhe kryetari të ishte prezent nuk do të kishim për të na dhënë përgjigje… ndoshta ta bëjmë një përjashtim si komision dhe ta bëjmë dëgjimin dhe shqyrtimin të raportit dhe ta mbyllim si temë”, tha ai.
Por, përsëri erdhi kërkesa nga deputeti i LVV-së, Halil Thaçi që kjo mbledhje të mos vazhdojë pa qenë i pranishëm kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
“Me keqardhje edhe për të gjithë juve që jeni ardhur sot këtu mirëpo ne i dimë përgjegjësitë e kryetarit dhe nënkryetarit të Komunës dhe drejtorit të Urbanizmit dhe kompetent për çdo investim kapital është kryetari, unë mendoj se nuk duhet të vazhdojë kjo mbledhje sepse po e presim kryetari qysh e kemi pritur se gati një muaj”, tha ai.
Ishte më pas nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu i cili tha se raporti auditorit për projektin e Bashkimit të Qytetit ka shkrime të pavërteta.
“Jemi të gatshëm të përgjigjemi për çfarëdo hapi, procedure, apo gabimi, mos gabimi, shkrimi i qëllimshëm apo paqëllimshëm në raportin e Auditorit… Nuk besova që kemi ardhur me fol politikë nuk dua ta politizoj, por gatishmëria jonë për të treguar se në gjetjet e auditorit ka shkrime të pavërteta, ka rekomandime të paligjshme… ne mund të shihemi në prokurori sepse gjetjet që i kanë sigurisht që prokurori ka me i marr”, tha ai.
Në fund, Komisioni u dakordua që mbledhja të mos vazhdojë, meqë kjo është praktikë e komisionit. Kjo pikë do të shqyrtohet në një mbledhje tjetër.
Tutje, Komisioni shqyrtoi dhe mbështeti disa rekomandime të Komisionit për disa raporte të auditimit të cilat janë shqyrtuar në mbledhjet e kaluara.