UBT News

​Mungesa e vaksinave antiCOVID-19, Zemaj letër COVAX-it

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka dërguar letër ditë më parë mekanizimit COVAX, misioneve të ndryshme diplomatike e përfaqësuesve të ambasadave të shteteve të Quint-it në Kosovë, organizatave të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në fushën e shëndetësisë në Kosovë dhe të akterëve të tjerë lidhur me mosalokimin e vaksinave kundër COVID-19 deri më tani për Kosovën.

Zemaj ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë përpjekje maksimale për të përmbushur të gjitha kërkesat e paraqitura nga COVAX, por pavarësisht kësaj Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Evropë i cili nuk ka marrë asnjë dozë të vetme të vaksinës kundër COVID-19.

“Fatkeqësisht, përkundër angazhimit tonë maksimal, ne jemi shteti i vetëm në Evropë i cili nuk ka marrë asnjë dozë të vetme të vaksinës kundër COVID 19! Përveç mbështetjes te COVAX, Ministria e Shëndetësisë është në proces të vazhdueshëm të sigurimit të mbështetjes financiare nga institucionet ndërkombëtare financiare, për të mundësuar blerjen e (një pjese) të vaksinave me burimet tona, qoftë përmes ko-financimit nga COVAX; dhe/ose nga prodhuesit apo burime tjera të mundshme. Dëshiroj të ju rikujtoj se sapo kemi pranuar letrën e znj. Aurélia Nguyen, Managing Director, Office of the COVAX Facility, e cila me 26 th February 2021, na ka informuar për “The Covax Facility First Round Of Allocation: Astra Zeneca/Oxford Vaccine”; së bashku me “Annex A: Key details on allocation, procurement, pre-requisites, supply and delivery (AZ AMC)”, ne kemi kompletuar dhe dërguar të gjitha dokumentet e kërkuara”, thuhet në njoftim.

Zemaj thotë se më 1 mars 2021, pika fokale për Kosovën ka njoftuar se duhet t’i drejtohen UNICEF’s Supply Division, i cili do të lëshojë urdhër. Urdhër blerja nga UNICEF, sipas Zemajt është lëshuar të enjten, me 04 mars 2021!

“Në vijim jemi informuar se sasia e parë e vaksinës AstraZeneca për Kosovën do të jetë e gatshme për transport më 17 mars, ndërsa pjesa tjetër me 17 prill 2021. Fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi asnjë informacion për shkakun e vonesës dhe kohën e arritjes së vaksinave në Kosovë! Të gjithë jem të vetëdijshëm se vaksinimi i popullatës kundër Covid 19 është një çështje jetike për mbrojtje të jetës dhe shëndetit individual, dhe të popullatës, në veçanti të grupeve vulnerabile, në kushtet e pandemisë”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version