UBT News

​MSh: 1 dhjetori, dita për të rritur ndërgjegjësimin kundër HIV

Në Ditën Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se po ndërmerr masa jo vetëm sa i takon trajtimit të personave me HIV, por edhe për të parandaluar infeksionin, veçanërisht tek popullata kyçe.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 1 dhjetori është një ditë për të rritur ndërgjegjësimin për t’u informuar dhe për t’u testuar në kohë për virusin HIV por edhe një moment për të reflektuar se të gjithë mund të luajmë një rol në luftën kundër HIV,

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se siguron terapinë ARV për të gjithë të infektuarit me HIV. Trajtimi i rasteve me HIV bëhet në Klinikën Infektive të QKUK-së.

“Edhe gjatë këtij viti, edhe përkundër pandemisë në asnjë rast nuk është ndërprerë dhënia e kësaj terapie. Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar për HIV në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile ofrojnë shërbime për të gjithë personat që duan të dinë statusin e tyre për HIV shoqëruar me një këshillim profesional për të ndihmuar ata të përshtaten me rezultatin e testimit”, thuhet në njoftim.

1 dhjetori shënon Ditën Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS. Thuajse në gjithë botën për 1 dhjetor organizohen aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.

Exit mobile version