UBT News

​MPB: Qendra Operative ka ngritur nivelin e angazhimit

Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke mbledhur dhe evidentuar të gjitha kërkesat në mënyrë që të aktivizojmë kapacitetet tona për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim të parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtutjeshëm të situatës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se përveç situatës me vërshime, në disa zona mbrëmë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të qarkullimit në disa rrugë nacionale, por pas koordinimit dhe angazhimit ndër-institucional, në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha rrugët dhe tanimë të gjitha janë të qarkullueshme.

“Që nga fillimi i reshjeve të shumta të shiut me ç’rast dje gjatë ditës dhe mbrëmë u përballëm me vërshime në disa rajone të vendit tonë, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur nivelin e angazhimit dhe ka vijuar me koordinimin e të gjitha institucioneve në përballimin më të lehtë të kësaj situate. Përveç situatës me vërshime, në disa zona mbrëmë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të qarkullimit në disa rrugë nacionale por pas koordinimit dhe angazhimit ndër-institucional, në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha rrugët dhe tanimë të gjitha janë të qarkullueshme”, thuhet në njoftim.

MPB ka thënë se njësitë profesionale të zjarrfikësve në bashkëveprim me Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur të evakuojnë familje që kanë qenë të bllokuar apo në rrezik potencial.

Me kërkesë të Komunës së Mitrovicës, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent ka dërguar ekipin e pompimit me kapacitet të lartë për intervenim ndërsa është dërguar edhe një cisternë uji për furnizim me ujë të pijes. Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke mbledhur dhe evidentuar të gjitha kërkesat në mënyrë që të aktivizojmë kapacitetet tona për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim të parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtutjeshëm të situatës. Apelojmë te qytetarët për bashkëpunim me institucionet tona duke kontaktuar pa pagesë në numrat:

112 – Numri unik emergjent

192 – Policia e Kosovës

193 – Zjarrfikësit dhe

194 – Ndihma e shpejtë.     

Exit mobile version