Odja e Mjekëve të Kosovës ka dhënë detaje lidhur me padinë e ngritur ndaj Qeverisë së Kosovës për shtesa nga pako emergjente dhe padinë ndaj Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës lidhur me kompensimin e kujdestarive nga marrëdhënia e punës.
Paditë ndaj këtyre dy institucioneve janë ngritur kohë më parë dhe se OMK-ja, në intervale të ndryshme kohore ka paraqitur pranë Gjykatës edhe kërkesat për trajtim me urgjencë, gjë që nuk ka ndodhur deri tash.
“Lidhur me zhvillimin e procedurës kontestimore në të dyja rastet, kompetente tanimë është Gjykata Themelore në Prishtinë, meqenëse Oda e Mjekëve të Kosovës sipas autorizimeve ligjore ka konsumuar të gjitha veprimet juridike deri në këtë fazë të procedurës! Oda e Mjekëve të Kosovës do t’i informojë anëtarët e saj, varësisht nga zhvillimet që do të ndodhin lidhur me këto dy konteste gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Odës.