Kuvendi i Kosovës me 63 vota ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit 2021-2025.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka treguar detajet e këtij programi, teksa tha se kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është mbi 47 mijë euro.
“Programi kombëtar për zbatimin e MSA-së përmban gjithsej 242 masa afatshkurtra, prej tyre 109 masa legjislative dhe 133 masa zbatuese, si dhe objektiva prioritare afatmesme. Kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar të jetë 47 milionë e 676 mijë e 792 euro, prej të cilave 44 milionë e 931 mijë e 171 euro janë nga buxheti shtetëror dhe 2 milionë e 745 mijë 621 euro nga mbështetja e donatorëve ku janë kryesisht BE dhe donatorët bilateral. Ky dokument nuk ka asnjë vakum buxhetor”, tha ai.
Bislimi tha se kanë paraparë zbatimin e të paktën 80 përqind të programit për këtë vit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha se ky dokument është shkelur me të dyja këmbët nga vetë qeveria me emërimin e familjarëve nëpër bordet e institucioneve të pavarura, teksa ka pasur kritika për mungesën e ministrisë së Integrimeve Evropiane.
“PKZMSA i kërkon Kuvendit emërimin e anëtarëve të bordit të institucioneve të pavarura bazuar në meritokraci e bazuar në profesionalizëm për të shmangur emërimet politike, duke përmendur kështu edhe një memorandum që ne si Kuvend e kemi me Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria përgjatë gjashtë muajve të saj nuk ka lënë bord e nuk ka lënë agjenci të pavarur pa e mbushur me të afërm, pa e mbushur me familjarë, me dajë, me nipa e me mbesa. Prandaj, që në start ne këtu e shohim që po e shkelim me dy këmbë një dokument i cili nuk i duhet vetëm raporteve tona me Bashkimin Evropian, po në radhë të parë i duhet shtetit tonë”, tha ajo.
Mbështetje Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2021-2025 i kanë dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.