UBT News

​Miratohet marrëveshja me Bankën Evropiane për Investime që lidhet me reagimin e Kosovës ndaj pandemisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 83 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë abstenim e kanë votuar marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për NVM-të”. Megjithatë, mungesa e tre deputetëve në sallë fillimisht e ka shtyrë procesin e votimit, për çka ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca i ka kërkuar shefes së grupit parlamentar që të thërras në sallë një deputet të pozitës, i cili sipas tij ishte në byfe të Kuvendit.

“Ishim 80 deputetë para 2 minutave, tre deputetë dolën në byfe i ftojmë që të kthehen që të mund t’i votojmë këto dy marrëveshje. Me emra po më kujtohen që Armend Zemaj dhe Hajdar Beqaj dolën por edhe një duhet me qenë diku. I ftojmë me emër dhe mbiemër që të kthehen në seancë[…]Mimozë a mundesh me ftu Luan Aliun se është në byfe, thirreni të bëhet pjesë e kësaj seance shumë të rëndësishme”, ka thënë Konjufca.

Para hedhjes në votim, ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar marrëveshjen dhe ka thënë se e njëjta synon lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Projekti që financohet nga kjo marrëveshje ka synim rritjen e kapitalit të fondit kosovar për garantimin e kredive për 40 milion euro shtesë duke i mundësuar kësisoj fondit të garantojë edhe rreth 120 milion euro kredi shtesë për bizneset. Kjo marrëveshje do t’u mundësojë bizneseve të financojnë projekt kapitale apo edhe shpenzimet operative të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i financojnë si pasojë e mungesës së likuiditetit që është shkaktuar nga pandemia Copvid-19 apo edhe si pasojë e mungesës së koalteralit të nevojshëm për të marrë hua nga bankat”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave ka thënë se shuma prej 40 milionë euro do të transferohet në fondin për garanci kreditore.

“Ideja është që përmes granatimit të kredive t’u sigurohet bizneseve të kenë qasje dhe pa pasur nevojë të prezantojnë hipoteka mbi nivelin e kredisë siç rëndomtë kërkohen nga bankat kurse sa i përket se cilat sektor do të mbështeten, pra mbështetje do të jetë për prodhuesit, për bujqit, do të ketë dritare edhe për gratë bizneset e grave, pra kryesisht ato kategori të bizneseve apo sektor që ose janë strategjik që na ndihmojnë në zëvendësimin e importit dhe rritjen e eksporteve”, ka thënë Murati.

Ndërsa Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se fondi për garanci kreditore është themeluar në Qeverinë Mustafa, me ndihmën e partnerëve.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështet këtë marrëveshje në fakt dua të ju përkujtoj që fondi për garanci kreditore është një institucion mjaft kredibil i cili është themeluar në qeverinë Mustafa nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ndihmën e partnerëve të huaj kryesisht amerikan dhe kjo marrëveshje sot që diskutohet është marrëveshje në kuadër të masave të rimëkëmbjes ekonomike e cila ka filluar në vitin e kaluar, të gjitha negociatat i kemi përfunduar në atë kohë dhe janë hapur të gjitha dritaret”, ka thënë Bajrami.

Përveç LDK-së, marrëveshjen e kanë mbështetur edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Exit mobile version