Komisionit ekzekutiv për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, ka mabajtur sot një takim ku është miratuar në parim koncept dokumenti për themelimin e Fondit Sovran.
Sipas një komunikate, ky koncept dokument parasheh hapat që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e fondit.
“Aty përcaktohen qartë qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond. Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapje të takimit të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran.
“Ky Fond do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar”, theksoi ai.
Kryeministri Kurti tha se Fondi Sovran do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës, duke krijuar kanale të reja për investime të jashtme, përfshirë qasjen në tregjet globale financiare. Po ashtu, do të krijohen mundësi për sjelljen e kapitalit të freskët në sektorin privat përmes partneriteteve të reja që do të formohen midis Fondit, investitorëve të jashtëm dhe korporatave prodhuese dhe shërbyese në Kosovë.