Dhjetëra mijëra bjellorusë dolën në rrugët e Minskut të dielën për të protestuar ndaj rizgjedhjes së presidentit Alexander Lukashenko, i cili është përballur me demonstrata të ngjashme masive për dy javë.
Duke treguar flamuj të bardhë dhe të kuq, protestuesit u mblodhën në Sheshin e Pavarësisë dhe përmbytën rrugët përreth duke bërtitur “Liri! Liri!”.
Mediat raportuan për më shumë se 100,000 protestues të mbledhur në kryeqytetin bjellorus për të dielën e dytë me radhë. Protestuesit nuk e njohin rizgjedhjen e Lukashenko-s më 9 gusht, duke e konsideruar një mashtrim dhe duke dënuar shtypjen brutale që pasoi zgjedhjet.
Mediat pranë opozitës raportuan për mitingje të organizuara në disa qytete të tjera në të gjithë vendin.
Javën e kaluar, më shumë se 100.000 protestues u mblodhën në rrugët e Minskut duke kërkuar largimin e Lukashenko-s nga pushteti. Në 26 vjetët që ai ka qenë në krye të vendit, presidenti asnjëherë nuk është përballur me protesta të tilla, as për sa i përket reagimit masiv dhe as për sa i përket kohëzgjatjes së tyre.
Ai nuk pranoi të linte presidencën, siç kërkohet nga rivalja e tij kryesore në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, Svetlana Tihanovskaya.
Menjëherë pas zgjedhjeve, politikania u largua nga vendi për shkak të kërcënimeve dhe shkoi në Lituani.