Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka dhënë detaje përmes një konference për media lidhur me polemikat në publik për gazin amerikan dhe vendimet e qeverisë për sektorin e energjisë.
Ministrja Rizvanolli duke qartësuar marrëveshjen e djeshme të arritur me Maqedoninë e Veriut, tha se kur theksohet për ndërtim të infrastrukturës nuk flitet për gaz të ndonjë shteti, por për infrastrukturë që i jep qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit në Greqi.
“Po flitet në kohët e fundit për gazin amerikan, duhet qartësuar një gjë, kur po flasim për ndërtimin e infrastrukturës, ne nuk jemi duke folur për gaz amerikan ose të ndonjë shteti të tillë. Ne jemi duke folur për ndërtim të infrastrukturës, në këtë rast opsioni që është më i studiuari është ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësit, i cili do t’i jepte qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit natyror në Greqi”, tha ajo.
Rizvanolli tha po ashtu se nëse ndërtohet ndonjë termocentral me gaz, operatori do mund ta blinte në treg të lirë këtë derivat.
“Pastaj nëse do ndërtohej një termocentral me gaz, operatori që operon, atë do ta blinte në treg të lirë gazin. Ka dallim mes gazit natyror dhe gazit natyror të lëngshëm. Pra, nuk jemi duke fol gaz amerikan ose të ndonjë shteti tjetër, por për vendimin për të ndërtuar ose jo infrastrukturë, e cila mundëson lëvizjen e gazit natyror”, theksoi ajo.
Ajo potencoi se në bashkëpunim me Fondet e Mijëvjeçarit (MCC) është bërë një studim fizibiliteti dhe janë ndarë 200 milionë euro për ndërtim të një pjese të infrastrukturës. Teksa shtoi se duhet ende qartësim sa i përket financave për projektin, pasi ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Qeveria e Kosovës për arsye se nuk dihet kosto totale e projektit.
“Ndërtimi i infrastrukturës së gazit, është një opsion i cili është duke u shqyrtuar, për të cilën ka shumë keqkuptime në diskursin publik. Sa i përket kësaj çështje në kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me partner të ndryshëm, por posaçërisht me MCC. Arsyeja pse në bashkëpunim me MCC, është sepse kjo e fundit filluar studimin e fizibiliteti gjatë këtij viti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë. Dhe ka alokuar një grand deri 200 milion dollarë, i cili do të shfrytëzohet për ndërtimin pjesërisht të kësaj infrastrukture. Një gjë që është e pa qartë, është që kemi të bëjmë me një investim më të madh se kaq”, theksoi ajo.
Rizvanolli theksoi se sa i përket orientimeve strategjike janë në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët ndërkombëtar, me ambasadën e SHBA-ve, Gjermaninë dhe zyrën e BE-së. Ajo duke sqaruar për marrëveshjen e arritur dje në Maqedoni të Veriut, tha se ky dakordim me këtë shtet në fushën e energjisë është e rëndësisë së veçantë, derisa ka shtuar se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të ndodhë vetëm me Maqedoninë e Veriu, por edhe me shtetet tjera.
“Sa i përket marrëveshjes së djeshme dhe bashkëpunimit rajonal, është tejet me rëndësi bashkëpunimi rajonal në mesin e vendeve tona, jo vetëm me Maqedoninë e Veriut me të cilën kemi nënshkruar marrëveshjen dje, dhe jo vetëm me Shqipërinë me të cilën vetëm e kemi një bashkëpunim më të avancuar. Ne si rajon kemi synime të ngjashme që është në radhë të parë dekarbonizimi i sektorit, diverisifikimi i burimeve të energjisë dhe integrimi i burimeve të ripërtritshme të energjisë”, tha ajo.
Qeveria e Kosovës dje në mbledhjen e përbashkët me Maqedoninë e Veriut, ka arritur 11 marrëveshje, një ndër to edhe atë për sektorin e energjisë.