Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka vizituar sot Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve “Liria” në Gjilan, ku është njoftuar mbi sfidat dhe problematikat me të cilat ballafaqohet kjo strehimore.
Haxhiu gjatë këtij takimi tha se kjo Qendër duhet të jetë një derë e hapur për çdo grua që troket në të.
Ajo shtoi se është e vetëdijshme për problematikat e shumta me të cilat ballafaqohet Qendra dhe se Mistria të cilën ajo e drejton mbetet e angazhuar që fillimisht të zbatohet në përpikëri Strategjia Kundër Dhunës në Familje për çka Ministria e Drejtësisë ka angazhim të shtuar përmes Zyrës së Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje për identifikimin e mënyrave më të mira me qëllim të parandalimit të dhunës në familje.
Sa i përket buxhetit, Haxhiu tha se si alternativë është vlerësuar Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje, i cili parasheh një linjë të veçantë buxhetore për strehimoret.
Ministrja po ashtu njoftoi përfaqësueset e kësaj Qendre se ka marrë konfirmim për përkrahje financiare edhe nga donatorët të cilët do t’i mbështesin këto Qendra.
Për Haxhiun fuqizimi i rolit të gruas, në mënyrë që ajo mos të ketë varshmëri financiare është me rëndësi për pozitën e saj në shoqëri.
Haxhiu gjatë vizitës në Gjilan ka takuar edhe përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale nga të cilët u njoftua me sfidat, kërkesat të cilat i paraqesin qytetarët në këtë adresë, të dhënat që ka kjo Qendër dhe aktivitetin që ajo zhvillon.
Ministrja Haxhiu ka thekuar se gjithçka që është në mundësi dhe kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë do të shqyrtohet për t’i mbështetur këto qendra.