Ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Zyrën e UNICEF-it, pas përmbushjes së të gjitha kushteve, po pret konfirmimin final për marrjen e dozave të para të vaksinës kundërCOVID-19 përmes mekanizimit COVAX, pasi Kosova është kualifikuar në mesin e 92 shteteve për marrjen falas të kësaj vaksine.
Në një komunikatë për media thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se më 8 janar është konfirmuar sërish se 500 mijë vaksina të Pfizer janë ndarë për Kosovën, por pavarësisht kësaj ende nuk e ka pranuar marrëveshjen në fjalë, dhe nuk është bërë e ditur arsyeja e vonesës.
Përtej negocimit me Pfizer, MSh ka arritur pajtimin edhe me shtetin e Austrisë për sigurimin përmes tyre të 600 mijë vaksinave, të cilat do të mund të merren pasi shteti austriak t’i ketë bërë blerjet e vaksinave në sasitë e nevojshme edhe për vete.
Angazhimet e BE-së ndërkaq për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 dihen, dhe ato deri tash nuk kanë rezultuar me sigurimin konkret të dozave të para, përkundër ndarjes së një shume të konsideruar të mjeteve financiare për këtë qëllim, nga të cilat, 7.5 milionë do të përfitojë edhe Kosova, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, më datë 7 dhjetor 2020 në mes të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit të Pfizer, Janine Small (President Global, Emerging Markets-Pfizer Biopharmaceuticals Group), është nënshkruar Marrëveshja Konfidenciale, si hap dhe kusht i parë për të vazhduar tutje me takime të tjera virtuale për negocim..
Më 16 dhjetor është mbajtur takimi i parë virtual midis MSh dhe Pfizer. Më 30 dhjetor, MSh është njoftuar nëpërmjet e-mailit se nga përfaqësues të kompanisë se Pfizer e ka futur në listën e vet edhe Kosovën sa i përket mbështetjes për ndarjen e sasie të vaksinës kundër COVID-19, të ndara në disa kontingjente.
Sipas njoftimit që MSh kishte marrë më 30 dhjetor nga Pfizer, kjo kompani kishte bërë edhe orarin përcjellës të shpërndarjes së vaksinave, sipas të cilit 11.700 doza do të shpërndaheshin në fund të shkurtit, 13.600 doza në çerekun e dytë të vitit dhe pjesa e tretë prej 2.374.650 dozave në pjesën e dytë të vitit 2021.
Në takimin e 5 janarit 2021, përfaqësuesit e Pfizer gjatë takimi virtual me Komisionit shtetëror për vaksinim, në prezencë të ministrit Zemaj, kanë konfirmuar se tashmë për Kosovën janë siguruar 500 mijë vaksina dhe kanë dhënë aprovimin që kjo mund t’i komunikohet edhe publikut në Kosovë.
MSh i siguron qytetarët se ky angazhim do të jetë maksimal, përtej çdo interesi, në përmbushje të obligimit për të siguruar shëndetin e qytetarëve, deri në pranimin e dozave të para që besohet se do të ndodhë së shpejti dhe në përmbylljen e programit të vaksinimit kundër COVID-19.