UBT News

​Ministria e Jashtme konfirmon zyrtarisht se Bullgaria mbylli hapësirën e saj ajrore për kryediplomatin rus

Ministria e Jashtme bullgare konfirmoi zyrtarisht të hënën se me një notë të datës 1 qershor 2022, nuk ka dhënë leje diplomatike që mbi territorin bullgar të fluturonte avioni rus që mbante ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Vendimi është në përputhje me regjimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe më konkretisht me Vendimin e Këshillit 2014/512/CFSP. Përveç kësaj, nga 25 shkurti 2022, Sergej Viktorovich Lavrov është përfshirë në listën e personave fizikë dhe juridikë që u nënshtrohen masave kufizuese nga BE-ja në përputhje me Rregulloren (BE) Nr 269/2014, kujton Ministria e Jashtme bullgare.

Mediat raportuan të dielën në mbrëmje se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për aeroplanin me të cilin udhëtonte ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, për një vizitë në Serbi nga 6-7 qershor.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se veprime të tilla shkaktojnë probleme me orarin e takimeve diplomatike të nivelit të lartë.

“Megjithatë, lëvizje të tilla nuk do ta pengojnë Moskën të mbajë kontakte me vendet mike”, shtoi ai.

Exit mobile version