Kryesia e Kuvendit ka vendosur të mbajë seancë të enjten tjetër, me vetëm një pikë të rendit të ditës, interpelancën e ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ai do të jetë në interpelancë për rishikim të buxhetit dhe rritjen e pagave.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se kjo ka qenë kërkesë e partisë së tij.
“Të enjten do të mbahet një seancë e rregullt me një pikë të rendit të ditës, me interpelancën për ministrin e Financave, të cilën e ka kërkuar AAK. Kërkesa jonë bazohet në dy çështje të rëndësishme. E para lidhet me bllokimin total që qeveria e Kosovës ia ka bërë investimeve publike kapitale në vend. Është e pashpjegueshme të shpërndahen paratë e taksapaguesve në forma të ndryshme dhe të bllokohet një proces i tërë i investimeve kapitale në komuan dhe në nivel qendror”, tha ai derisa shtoi se edhe infrastruktura rrugore dhe ajo institucionale janë në kolaps.
Ai ka bërë të ditur se rritja e koeficient prej 105 në 129 euro, mbetet kërkesë e tyre.