Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka pranuar të premten një donacion nga KFOR-i italian në Kosovë për Klinikën e Pediatrisë.
Donacioni përmbanë infratavolinë për Repartin Intensiv Pediatrik me 2 respiratorë, për 3 moduse infatil, pediatrik dhe adult, e po ashtu, 2 monitorë transportues me 5 parametra.
Në ceremoninë e pranimit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se pajisjet e dhuruara do të rrisin kapacitetet shëndetësore, në veçanti në shërbimet në fushën e kardiologjisë tek fëmijët.
Ai tha se së shpejti do të fillojë trajnimi i stafit shëndetësor për pajisjet e nevojshme të cilat do të rrisin shërbimin dhe kapacitetin e intervenimeve tek fëmijët me të meta të zemrës.
“Italia ndër vite ka ndihmuar sistemin shëndetësor në Kosovë për të ofruar shërbime më cilësore që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe në veçanti në fushën e kardiologjisë, sidomos atë të fëmijëve. Tash do të sigurojnë trajnimin e kirurgëve, anestologëve, infermierëve dhe infrastrukturën për pajiset e nevojshme për shërbimet që kemi nevojë në Kosovë. Këto trajnime do të fillojnë gjatë këtij viti dhe do të shtojnë në mënyrë rëndësishëm shërbimet dhe cilësinë e intervenimeve tek fëmijët me të meta të zemrës. Por ne e dimë se nuk mund të ketë shërbime cilësore pa përmirësim të kapaciteteve njerëzore dhe pa infrastrukturë të nevojshme. Ne jemi të dedikuar tërësisht edhe si qeveri dhe ministri që të ngritim kapacitetet njerëzore dhe të infrastrukturës që të ndalim rrjedhjen e pacientëve tanë jashtë vendit. Obligimi ynë që këto pajisje t’i ruajmë dhe të kujdesemi për to në shërbimin tonë”, tha ai.
Pjesë e ceremonisë ishte edhe ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, i cili tha se vendi i tij, gjithmonë do të mbështesë sistemin shëndetësor të Kosovës.
“Qeveria e Italisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e ka mbështetur shëndetësinë në Kosovë që nga pavarësia e saj, me një financim të vazhdueshëm për të rritur efikasitetin e sistemin shëndetësor në Kosovë, për të ju mundësuar popullit që të trajtohen në Kosovë pa pasur nevojë të shkojnë për shërim jashtë vendit. Përveç Klinikës Kirurgjike Kardiologjike, përkushtimi jonë prek edhe fusha të tjera si Loboratori Biologjik më 2020, si dhe kemi investuar në punimet e vrazhda në objekte, dhe kemi ndihmuar me pajisje dhe material shpenzues në QKUK. Donacioni i sotëm kompleton ndihmën e Italisë për të gjitha nivelet e shëndetësisë së Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i KFOR-it italian Luca Piperni, tha se ky donacion do të forcojë më tej lidhjet me Kosovën.
“Është nder dhe privilegj që t’ju bashkohem në dhurimin e pajisjeve mjekësore për Qendrën Klinike Universitare. Jam i lumtur që jam këtu për të rikonfirmuar bashkëpunim në mes Italisë dhe institucioneve të Kosovës në kuadër të kontributit të vendit tim . Sigurisht që ky donacion do të forcojë më tej lidhjet tona tashmë të shkëlqyeshme. Donacioni i sotëm është për të përmirësuar sistemin shëndetësor në Prishtinë, duke ia mundësuar Qendrës Klinike Universitare që të ketë pajisjet esenciale, dhe si rrjedhojë të ju ndihmojë njerëzve në nevoja mjekësore, në veçanti rreth Covid-19 dhe terapisë neonatale”, theksoi ai.