UBT News

​Millanoviq: Serbia duhet të përgjigjet për sulmin në Banjskë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se Serbia duhet të jap përgjigje për sulmin e 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Millanoviq ka folur në një konferencë për media në Zagreb të mbajtur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai ka thënë se ngjarje të tilla nuk duhet lejuar të ndodhin më.

“Qëndrimet janë të qarta, ndaj Serbia duhet të na japë disa përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund të gjejnë vëmendjen e një fëmije të vogël. Kush janë ata, nga kanë ardhur, kë kanë financuar, këto janë të gjitha gjërat që i kemi parë tashmë në histori, nëse nuk ka pasoja, do të thotë se presim një ngjarje të tillë të radhës, dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, ka thënë ai.

Megjithatë, Millanoviq është shprehur kundër sanksioneve meqë sipas tij ato janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, si dhe jo efektive nëse nuk miratohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

E derisa ka folur për masat e Bashkimit Evropian kundër Kosovës, Millanoviq ka ftuar shtetet që të mos i respektojnë ato. Ai ka kritikuar edhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Kosova është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe natyrisht i ftoj t’i bojkotojnë ato. Këto janë disa prej masave të cilat i ka ndërmarrë Komisioni Evropian nga zoti Borrell i cili shpresoj së shpejti të shkojë në pension dhe i ndalojnë pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Komisioni, nga Borrell, nga ekipi i tij, të cilat ndalojnë dhe na kërcënojnë të gjithë ne që takohemi në disa nivele të caktuara me përfaqësuesit e Kosovës, në nivel të lartë, ky është një nivel i lartë, nuk e di çfarë është niveli i lartë tjetër. Kështu e sheh komisioni Evropian zgjidhjen e problemit, ndërprerjen e përkrahjes për Kosovën, njoh shumë spanjoll për vite të tëra edhe nga maja e pushtetit të Spanjës, natyrisht mbretin dhe gruan e tij, kryetarin e qeverisë dhe njerëzit i kanë disa qëndrime dhe pikëpamje të caktuara. Mirëpo ky shtet nuk e ka njohur Kosovën, si të presim të kemi një objektivitet në këtë rast, nga dikush që është spanjoll dhe drejton politikën e evropiane kundër Kosovës…Ata të cilët nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Evropian ka masa ndaj Kosovës i ftoj të gjithë t’i shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës dhe t’i përsërisin këto gjëra, të thonë që po i bëjnë këto gjëra pikërisht për këtë synim”, ka thënë Millanoviq.

Exit mobile version