Arsimtarja e matematikës, Remzie Elezi, ndaj të cilës drejtoria e shkollës fillore “Flamuri i Arbërit” ka marrë vendim që të mos e vazhdojë mësimdhënien për shkak të mbulesës, përmes avokatit mbrojtës ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Suharekë që këtë vendim ta anulojë si të kundërligjshëm, dhe që ajo të kthehet në punë.
Kështu ka konfirmuar avokati i mësueses, Muharrem Mujaj, i cili tha se vendimi për largim nga puna ka qenë pa bazë ligjore.
“Javën e kaluar mësuesja është paraqitur në vendin e saj të punës me manifestim të bindjes së saj fetare dhe për shkak të kësaj ajo u largua dhunshëm duke i bërë presion psikik ndoshta dhe fizik dhe për pesë ditë nuk është lejuar që të vijoj në mënyrë të rregullt punën e saj. Këtë e ka bërë një drejtor i shkollës së bashku me disa ndihmës të tjerë e që ne sigurisht e kemi parë që nuk ka bazë ligjore as bazë faktike që ajo të largohet në atë mënyrë pa asnjë vendim të vetëm apo shkresë zyrtare. Të martën e kemi pranuar një shkresë zyrtare i bie pas 7 ditësh një shkresë e cila më së paku është zyrtare… As nuk ka arsyetim as rrugë zyrtare e as ndonjë pjesë siç parasheh që të jetë akti administrative sipas Ligjit të procedurës së përgjithshme administrative”, tha ai.
Mujaj theksoi se tashmë kanë bërë kërkesë në DKA-në në Suharekë që ta anulojnë këtë vendim.
“Ne kemi bërë kërkesë në DKA në Suharekë që këtë shkresë zyrtare ta anuloj si të kundërligjshme dhe diskriminuese dhe ta kthej mësuesen në vendin e saj të punës. jemi në pritje shkresa është dorëzuar të mërkurën tash shohim se çka do të veprojnë më tutje”, tha Mujaj.
Sipas tij, arsimtarja Remzije Elezi e cila ka punuar për 31 vite në shkollën fillore “Flamuri i Arbërit”, ka pasur sjellje shembullore dhe së fundmi ka vendosur mbulesën.
“Janë diçka krejt tjera se çka ka deklaruar. Ne presim nga Drejtoria e Arsimit që të nxjerr një vendim që ka hedh shkresën që e ka nxjerr drejtori së bashku me një prind të asaj shkolle… Ne do të kërkojmë jo vetëm prej gjykatës por do të kërkojmë edhe nga Prokuroria që të veprojë sipas detyrës zyrtare në lidhje me keqpërdorimin e detyrës dhe trajtimin e pabarabartë të qytetarëve të Kosovës në këtë formë çfarë i ka ndodhur mësueses… Ajo punon që 31 vite në institucionin e njëjtë në shkollën fillore në Reshtan të Suharekës, nuk ka pasur asnjë vërejte më të voglën tërë këto vite ka qenë shembullore… Ajo tash është mbuluar”, theksoi avokati Mujaj.
Avokati i mësueses, Muharrem Mujaj tha se edhe si avokat mbrojtës bashkë me mësuesen kanë dhënë edhe deklaratë në Policinë e Kosovë pasi janë penguar që të qasen në ambientet e shkollës.
E largimi i kësaj arsimtareje nga vendi i punës për shkak të mbulesës ngjallI reagime.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili ka thënë se bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna.
Muharremaj tha se për shkak që aktualisht nuk gjendet në Kosovë, në ditën e hënë do ta trajtojë këtë rast me prioritet në përputhje me ligjin dhe me urdhrin administrative të ministrisë së Arsimit.
Këshilli drejtues është arsyetuar se deri tek ky vendim ka ardhur duke u thirrur në udhëzimin administrativ nr.03/2016, neni 3, pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare.