Përkundër rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, sot në Kosova ka nisur gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2021/2022 me prezencë të plotë në shkolla. Kësaj i janë gëzuar nxënësit e mësimdhënësit, të cilët thonë se mbajtja e mësimit në shkollë dhe me orar të plotë garanton rezultate më të mira.
Pas pushimit një javor, afër 3 mijë nxënës të shkollës fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali”, në Prishtinë janë rikthyer sot në bankat shkollore.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe mësimi ka nisur pa asnjë problem.
“Shkolla gjatë kësaj periudhe një javore e ka bërë dezinfektimin komplet të objektit, pastrimi gjeneral. Mësimi ka filluar me skenarin e rikthimit qysh kemi qenë duke punuar, do të thotë mësimi ka filluar në orën 7:30 normalisht si herët tjera. Do të thotë procesi mësimor është duke vazhduar mirë, numri i mungesave të nxënësve nuk është i rritur, për momentin nuk ka numër të madh të nxënësve, vetëm dy mësimdhënës për arsye shëndetësore sot mungojnë. Sa i përket virusit asnjë mësimdhënës nuk e kemi pozitiv, as te nxënësit. Momentalisht jemi mirë”, thotë ajo.
Duke qenë se ditëve të fundit në vend janë rritur rastet me COVID-19, Krasniqi thotë se shpreson që mësimi të vazhdojë të mbahet me prezencë të plotë në shkolla.
Megjithatë, thekson se task forca e shkollës do ta mbikëqyrë gjendjen çdo javë dhe nëse do të ketë raste të prekjes me COVID-19 të nxënësve dhe mësimdhënësve, atëherë do të shqyrtojnë mundësitë për mbajtjen e mësimit në ndonjë skenarë tjetër.
“Shkolla e ka task forcën e cila funksionon dhe takimet i ka çdo javë, ne si task forcë e shkollës vazhdimisht e analizojmë gjendjen javore, por në rast se na rekomandon ministria, zakonisht rekomandimet kur mësimdhënësit ose nxënësit shkojnë e bëjnë testin, ata neve na kthejnë raportet, në bazë të raporteve ne e shohim ku jemi. Por në momentin kur nuk kemi asnjë raport dhe nuk kemi asnjë person të infektuar. Normal që ne duhet të punojmë me skenarin e rikthimit me të cilin jemi duke punuar në këtë kohë, në momentin që kemi ndryshime edhe numër të rritur të rasteve, atëherë ulet task forca dhe e analizojmë gjendjen dhe bëjmë ndryshime në skenarë”, ka thënë Krasniqi.
Ajo shtoi se nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës me kohë janë pajisur me mjete mbrojtëse kundër COVID-19, derisa potencon se edhe sa i përket ngrohjes nuk kanë problem, pasi që janë të kyçur në ngrohtoren e qytetit.
Nisja e gjysmëvjetorit të dytë me prezencë të plotë në shkolla është mirëpritur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, të cilët vlerësojnë se mbajtja e mësimit në orar të plotë do të ndikojë që të ketë rezultate më të mira.
Mësimdhënësja e lëndës së “Edukatës Qytetare”, Afërdita Fazliu, shprehet se rikthimi në shkolla ka qenë një vendim tejet i nevojshëm për të arritur rezultate më të mira në mësimdhënie e mësimnxënie.
“Shpresoj mos të kemi kriza të pandemisë dhe të jemi me prani fizike në klasë, kjo do të thotë shumë se të gjithë nxënësit angazhimin e kanë më të mirë, janë të përqendruar në mësime dhe besoj që është më e mira për nxënësit…Nëse nuk ndërpritet mësimi për shkak të pandemisë, mendoj se nxënësit vetëm sa kanë filluar me iu qas mësimit, besoj që kemi me pas përmirësime edhe pse pak vështirë, një pauzë të madhe kemi qenë online dhe i dimë ato sfida që i kemi pas po në të ardhmen shpresojmë se kemi me pas rezultate”, thotë ajo.
Edhe nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali”, e kanë mirëpritur nisjen e gjysmëvjetorit të dytë me prezencë të plotë në shkollë.
Din Syla është nxënës i klasës së nëntë. Ajo thotë se mbajtja e mësimit me orar të plotë ka ndikuar që të ketë rezultate më të mira në mësime.
“Jam shumë i kënaqur që ky gjysëmvjetor ka filluar me prezencë fizike, për shkak që nuk më ka pëlqyer shumë mësimi sa kemi qenë online se nuk e kam gjetur mësimin online shumë efektiv në krahasim me mësimin fizik…Kur mësimi është mbajtur në shkolla kam arritur rezultate shumë të mira, nota mesatare përfundimtare 5.0, këtë e kam arritur edhe në mësim online por nuk kam menduar që notat kanë qenë shumë të besueshme”, shprehet ai.
Mësimet thotë se arrin t’i kuptojë më mirë kur mësimdhënësit e ka para vetës nxënësja tjetër e kësaj shkolle Edesa Ibrahimi.
“Unë arrijë rezultate shumë më të mira nëse e mbajmë mësimin me prezencë fizike sesa online, mësimi online mendoj që nuk është zgjidhje për ne, nuk mësojmë as 10 përqindëshin çka mundemi me mësu me prezencë fizike”, deklaron ajo.
Edhe nxënësja Ensara Bajraktari, shprehet se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë me prezencë të plotë në shkolla është më e favorshme për mësimnxënie.
“Shumë mirë që kemi nisur gjysmëvjetorin e dytë me prezencë fizike, sepse kur nuk kemi qenë prezent por kemi qenë online ka qenë shumë më keq dhe nuk kemi mundur të arrijmë t’i kuptojmë gjërat që i kemi mësuar”, thotë ajo.
Gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2021/2022 ka përfunduar më 30 dhjetor 2021, ku i gjithë gjysmëvjetori është mbajtur në skenarin e rikthimit.